Hamza: PDK-ja pro që presidenti të zgjidhet nga populli, por kjo do trajtim serioz

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se PDK-ja është pro që presidenti të zgjidhet direkt nga populli, por se kjo çështje kërkon trajtim serioz dhe jo procedurë të përshpejtuar.

Ai është ankuar se me procedurat e sotme nuk është respektuar Rregullorja e as Gjykata Kushtetuese.

“Në parim jemi që presidenti të zgjidhet nga populli, por kjo do trajtim serioz. Domosdoshmërisht duhet të jetë e vendosur brenda kuadratit ligjor, brenda Kushtetutës së Republikës, brenda procedurave, rregullave. Nuk është respektuar rregullorja, s’është në përputhje me atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ne nuk mund të flasim sonte në mënyrë meritore. Sonte kam pritur, madje shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur presidentin e jo të vijë në këto orët e fundit të mandatit që deputetët të sfidohen me seancë të jashtëzakonshme pa material. Në parim jemi për, por kërkon trajtim në përputhje me rregulloren e ligjet”, ka thënë ai.