Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar për medie pas takimit me Presidenten Osmani dhe krerët e partive të tjera opozitare.
“Në respektim të ftesës së Presidentes, ne ishim në takimin e ftuar ku diskutuam për datën e zgjedhjeve. Përgjegjësia kryesore i bie partisë fituese; e dimë që ka mundur t’i japë vendit President, pasi gjithmonë kjo ka ndodhur me marrëveshje politike. Ne kemi qenë mjaftueshëm të hapur që vendit t’i japim President. Unë nuk kam vendosur vija të kuqe për asnjë parti dhe u jam përgjigjur të gjitha ftesave për takim,” u shpreh Hamza.
Ai shtoi se kërkesa e PDK-së ka qenë e qartë që në fillim: “Kërkesa jonë ka qenë e qartë: fillimisht marrëveshje politike dhe pastaj të shohim për Presidentin. Ne të gjithë bashkë nuk kemi mundur ta zgjedhim Presidentin, kjo i bie partisë fituese… Sa i përket datës së zgjedhjeve, do të pranojmë cilëndo datë që caktohet nga Presidentja sipas afateve kushtetuese,” tha ai.










