Hamza optimist: Do të jem kryeministër, partitë që kanë qenë në opozitë do të formojnë qeverinë e re

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, Bedri Hamza shprehu optimizëm të lartë se Partia Demokratike e Kosovës do të dalë me rezultat edhe më të mirë, duke vlerësuar se ish-opozita do të ketë një hapësirë më të gjerë manovrimi për ta krijuar shumicën e nevojshme dhe institucionet e reja, sesa në rastin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Hamza e përshkroi pritjen e tij si “optimiste”, por shoti se optimizmi i tij mbështetet në një lexim racional të dinamikave elektorale.

“Pritjet janë optimiste. Unë gjithmonë jam optimist por jam edhe racional. Unë jam i bindur që rezultati i 28 dhjetorit do të krijojë situatë ku partitë që kanë qenë në opozitë të jenë në pozicion të favorshëm për ta krijuar qeverinë e ardhshme të Republikës Kosovës.Do të jetë situatë më e favorshme se shkurti i këtij viti.” – tha Hamza.

Sipas tij, PDK-ja jo vetëm që do të forcohet në këto zgjedhje, por do ta udhëheqë edhe ekzekutivin e ardhshëm: “Unë jam i bindur që Partia Demokratike e Kosovës do ta udhëheqë Qeverinë e Republikës së Kosovës.”

I pyetur drejtpërdrejt nëse beson se Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër, Hamza e artikuloi pa ekuivok ambicien politike: “Unë besoj që qeveria e ardhshme do të jetë nga partitë që kanë qenë në opozitë dhe normalisht që kryeministri do të jetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e në këtë rast jam unë”.

Në planin e koalicioneve, Hamza foli për një qasje pragmatike, duke u shprehur se dallimet mes forcave opozitare janë të menaxhueshme përmes negociatave dhe afërsisë programore.

“Do të ulemi në tavolinë. Jam shumë i hapur. Normalisht kam edhe fleksibilitet. Është shumë më lehtë për shkak edhe të koncepteve tona, bindjeve tona politike, programeve… kanë më shumë ngjajshmëri programet tona. Të tri partitë janë parti të qendrës së djathtë dhe i kemi prioritetet afërsisht të ngjajshme.” – tha ai.

Hamza dha edhe një paralajmërim serioz nëse potencialisht lind ndonjë refuzim nga ndonjë parti e ish-opozitës për t’u bërë pjesë e qeverisë së re:

“Unë mendoj që vendi ka nevojë për institucione. Unë do ta bëj maksimumin që Kuvendi të konstitutohet në afatin më të shpejtë të mundshëm dhe të ketë qeveri. E dim që nuk ka buxhet. E dim që në fund ka pasë tentativa që këtë temë me e përdorë për qëllim politike. Ka deklarata të mijat që në qeorshr të këtij vitit kam treguar që nëse vazhdon kjo, ne mund të futemi në vështirëzi sa i përket buxhetit. Nëse ka bllokada që pamundësojnë krijimin e instutuioneve, ne do të ballafaqohemi edhe me krizë buxhetore.” – përfundoi kreu i PDK-së.