Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka nënshkruar peticionin kombëtar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
“Është detyrë e secilit prej nesh që t’u qëndrojë pranë atyre që kontribuuan me vite të tëra për lirinë dhe shtetin tonë. Lufta çlirimtare ishte mbrojtëse, e drejtë dhe jam i bindur se drejtësia së shpejti do ta rikonfirmojë këtë”, shkroi Hamza në Facebook.
Peticioni u nënshkrua më 13 mars edhe nga Kryetari në largim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Më 25 shkurt, kategoritë e dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisën një peticion kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Ky peticion do t’i drejtohet Gjykatës Speciale.
Ata kishin ftuar të gjithë qytetarët dhe bashkëkombësit kudo që ndodhen që t’i bashkohen këtij peticioni.










