Hamza: Miliarda euro investime për funksionalizimin e hekurudhave në vend

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se ka qenë pjesë e rëndësishme e projekteve të rrugëve dhe autostradave që kishin nisur të ndërtoheshin në Kosovës.

Ndonëse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë kishte qenë buxheti i vogël edhe realizimi i projekteve thotë se ishte më i vështirë.

Por tani, që sipas Hamzës vendi është në fazën finale të shtrirjes së rrjetit rrugor, nevojitet investim në hekurudha.

Hamza në intervistën për Rubikon ka deklaruar se duhen investuar miliarda euro që të funksionalizohet transporti hekurudhor.

“Sot Kosova është në fazën finale të përfundimit të rrjetit rrugor, kemi nevojë për më shumë investime në hekurudha. Është më se i domosdoshëm ky investim sepse është transport më i lirë, me i shpejtë, më pak i kushtueshëm dhe ndikon në çështjet ambientale”.

“Është mirë që po bëhen binarët në hekurudhën 10, prej Hanit të Elezit në drejtim të Leshakut, por nuk është e mjaftueshme se duhet të bëhet elektrifikimi dhe ka nevojë që trenat në Kosovë të lëvizin me shpejtësi minimale 120 km në orë. Duhet të lidhen hekurudhat prej Prizrenit deri Klinë, prej Pejë në Klinë edhe pastaj prej Klinë në Fushë Kosovë, e gjithsesi është domosdoshmëri që Prishtina të lidhet me aeroportin “Adem Jashari”. Janë investime bukur të mëdha, miliarda euro duhet të investohen në rrjetin rrugor hekurudhor”, tha Hamza në Rubikon.