Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka lëkundur një prej aleancave më të fuqishme dhe ekzistenciale të Kosovës, atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka shkuar deri në pikën kur SHBA-ja ka braktisur përkohësisht edhe Dialogun Strategjik.
Mirëpo më 28 nëntor, festën kur shqiptarët festojnë Pavarësinë e Shqipërisë, kryetari i ri i PDK-së, Bedri Hamza në një vizitë të papritur në Washington ka nisur misionin për të shpëtuar marrëdhënien me aleatin kryesor të Kosovës.
Me mandatin e tij jolegjitim për gati një vit, Kurti është i izoluar nga pothuajse plotësisht nga aleatët më të fuqishëm të Kosovës në Evropë dhe përtej Atlantikut. Veprimet e tij në veri, duke filluar prej heqjes së dinarit, natyrisht pa koordinim me SHBA-në, ka tensionuar situatën deri në pikën sa përfaqësuesit e shteteve mike kanë refuzuar të takohen me të në objektin qeveritar.
Situata është përkeqësuar edhe më shumë sivjet kur nga Washingtoni erdhi vendimi për pezullimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në. Kjo qe goditja më e rëndë e marrëdhënieve me SHBA-në që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Kurti kishte thënë se nuk është shqetësim i tij politikat e SHBA-së ndaj Serbisë dhe se Dialogu Strategjik ishte pezulluar shkaku i dallimeve në diplomaci.
Mirëpo Departamenti Amerikan i Shtetit në shtator ka përgënjeshtruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, lidhur me arsyet e ndëprerjes së dialogut strategjik me Kosovën.
“Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të ikur (shmangur) nga çështjet thelbësore të përfshira”, thuhet në një përgjigje të DASH-it për Nacionale.
Tutje shtohet se këto shqetësime i janë kumtuar vetë kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.
“Ne ia kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit dhe e kemi bërë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara plotësisht të qartë. Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri”, thuhet tutje në përgjigjen e DASH-it.
Gjatë qëndrimit të Kurtit në SHBA, para disa studentëve atje ai tha se arsyet që cuan deri në pezullimin e dialogut strategjik janë disa dallime në diplomaci, sipas tij për shkak të qëndrimeve të Kosovës ndaj Serbisë.
“Disa politikanë dhe diplomatë në ShBA vlerësojnë se ne nuk po u ndihmojmë ShBA-ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse, por sinqerisht kjo s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin. Ashtu është. Pra unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Kurti të dielën.
Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon të shmangen veprimet destabilizuese nga qeveria në detyrë.
Vizita e Hamzës
Gjatë qëndrimit në Uashington, Hamza ka takuar këshilltarët e afërt të presidentit amerikan Donald Trump, në përpjekje për të mbajtur gjallë marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Në funksion të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe qeverinë amerikane, sot në Ëashington zhvillova një takim me Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe me Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit”, shkruan Hamza.
Ai shton se janë diskutuar zhvillimet politike në Kosovës.
“Diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe për nevojën që institucionet e Kosovës të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe në një agjendë të qartë zhvillimi. I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë”, shton kryetari i PDK-së.
Hamza shton se “Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane”.
“Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, përfundon Bedri Hamza.
Kush janë zyrtarët amerikanë që pritën Hamzën? Charles McLaughlin – Asistent i Posaçëm i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – konsiderohet një nga ekspertët kryesorë republikanë të politikës së jashtme.
Ai ka përvojë të gjerë në qeveri, në sektorin privat, në akademi dhe në forcat e armatosura. Karrierën e nisi si oficer në Kavaleri të Blinduar dhe më pas në Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane, duke dalë në pension si kolonel.
Mark Fleming – Drejtor i Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit – është zyrtari më i lartë përgjegjës për çështjet e Ballkanit Perëndimor në administratën amerikane.
Me një karrierë të gjatë diplomatike, ai ka luajtur rol kyç në koordinimin e politikave të SHBA-së në rajon, me theks në sundimin e ligjit, stabilitetin dhe bashkëpunimin strategjik.
Vizita e Hamzës në SHBA vlerësohet si një zhvillim me rëndësi të madhe për diplomacinë kosovare, sidomos në prag të proceseve të reja politike dhe zgjedhjeve të 28 dhjetorit.











