Hamza: Mbi 13 milionë euro i kemi paguar për borxhe të vjetra në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza, ka folur për sukseset dhe sfidat që e karakterizuan këtë mandat.

Hamza në një intervistë për Klan Kosovën, tha se këtë komunë e gjeti në gjendje të vështirë financiare.

Ai tha se ka arritur t’i paguajë mbi 13 milionë euro borxhe të vjetra që nuk i takojnë qeverisjes së tij.

“Mitrovicën në aspektin financiar e kam gjetur në gjendje bukur të vështirë për shkak të borxheve dhe borxhet kanë ardhur për shkak të dy burimeve kryesisht. Kanë qenë borxhe të prapambetura si rezultat i kontratave të cilat nuk kanë qenë mirë të mbuluara financiarisht dhe si rezultat i kontratave kolektive dhe në këtë mandat kam arritur t’i paguajë borxhet e prapambetura të cilat nuk kanë të bëjnë me kohën kur unë kam qeverisur me komunën e Mitrovicës, mbi 13 milionë euro dhe këto janë shumë për komunën e Mitrovicës”, deklaroi Hamza në emisionin Fol me Arin në Klan Kosova.