Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, pati kritika me tone të ashpra sesi ish-qeveria Kurti II e menaxhoi çështjen e liberalizimit të tregut për bizneset, duke e cilësuar procesin si të nxituar, joadekuat dhe pa asnjë parapërgatitje institucionale.
Në emisionin “Context” në ATV, Hamza tja se liberalizimi i tregut nuk mund të funksionojë kur qeveria nuk u siguron bizneseve as kushtet minimale për të operuar në konkurrencë të lirë.
Ai shtoi se thelbi i tregut të hapur është ulja e kostove për sektorin privat, ndërsa në Kosovë, sipas tij, ndodhi e kundërta.
“Liberalizimi i tregut duhet të shkojë paralelisht me përgatitjen e kushteve për këtë proces. Nuk mund t’i hedhësh bizneset në treg të lirë kur ato nuk kanë ku të bëjnë kontrata. S’mund t’i vendosësh në treg të lirë kur çmimi i energjisë elektrike rritet për më shumë se 100 për qind. Prandaj, duhet t’u përgatiten kushtet, duhet të përgatitet tregu, e pastaj t’u kërkohet bizneseve të dalin për furnizim në treg të lirë. Logjika e këtij procesi është që bizneseve t’u ulet çmimi i furnizimit, e jo t’u rritet.”











