Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, thotë se krerët e UÇK-së po trajtohen në Hagë sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e NATO-s.
Ai nderoi heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës, dhe njëkohësisht i falënderoi të gjithë ata që qëndruan në anën e së vërtetës.
“Më 24 mars 1999, bota intervenoi për t’i ndalur masakrat dhe krimet sistematike të regjimit të Millosheviqit ndaj popullit tonë. Ashtu si çdo vit, edhe në këtë 27-vjetor i nderojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës dhe i falënderojmë të gjithë ata që qëndruan në anën e së vërtetës. Bombardimet e NATO-s u koordinuan edhe me UÇK-në, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, aleatët tokësorë të NATO-s, të cilët sot po gjykohen në Hagë dhe po trajtohen sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike.
Mirënjohja jonë për NATO-n është e përjetshme, sepse ato ditë vendosën fatin tonë dhe ishin vendimtare në rrugën tonë drejt lirisë. Nga 24 marsi 1999 deri te sfidat e sotme, rruga jonë mbetet e njëjtë: në anën e së vërtetës. Ne nuk harrojmë. Ne nderojmë. Dhe mbi të gjitha, vazhdojmë ta mbrojmë lirinë që u fitua me shumë sakrificë! NATO, faleminderit përjetësisht!”, shkruan ai.










