Hamza e nis javën e parë si kryetar me takime intensive dhe optimizëm për ‘PDK-në e bashkuar’

Që nga dita kur mori besimin për të udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës, më 17 nëntor, Bedri Hamza është angazhuar në një sërë takimesh, duke shndërruar javën e parë të mandatit të tij në një tur intensiv diplomatik e partiak, brenda dhe jashtë vendit.

I pari i PDK-së zhvilloi takime me kryetarë komunash të udhëhequra nga kjo parti, por edhe në komuna të tjera, si ajo e Drenasit, ku PDK-ja humbi garën në zgjedhjet lokale, duke sinjalizuar përpjekje të qarta për të ribashkuar dhe riangazhuar strukturat partiake në qytetet ku kjo parti pati përçarje të brendshme.

Hamza e nisi agjendën e tij me takime me Zëvendësshefen e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, Anu Pratipati, Ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, si dhe ambasadorë të tjerë të vendeve mike, nga të cilat takime e vuri theksin te nevoja për bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë të Kosovës.

Në vijim, ai mori pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar datën e zgjedhjeve. Prej andej, Hamza doli me një mesazh të qartë: zgjedhje “me integritet të plotë dhe jo kompromise që cenojnë besimin e qytetarëve”. Vendimin e Presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve më 28 dhjetor ai e kritikoi, duke e quajtur të pakuptimtë mospërputhjen mes thirrjeve për urgjencë në formimin e institucioneve dhe shtyrjes së datës së votimit.

“Nuk shkon të njëjën kohë edhe me kërku urgjencë në krijimin e institucioneve, por me kërku edhe datë sa me të vonshme për t’i mbajtur zgjedhjet. Ne kemi qenë në favor të datës 21 për ma shumë se një arsyse sepse data 28 është datë para ndërrimit të vitit.” – u shpreh Hamza në konferencën për media.

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, Hamza deklaroi se “PDK është e gatshme” dhe shprehu bindjen në fitore. “Data e zgjedhjeve është caktuar dhe tani është koha të shikojmë përpara. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion. Fitorja e PDK-së do të jetë fitore për Kosovën!” – deklaroi Hamza.

Në mesin e javës, Hamza zhvilloi takim edhe me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili në zgjedhjet e fundit e mposhti pikërisht PDK-në në këtë komunë, duke garuar me Iniciativën për Drenasin pas mosmarrëveshjeve të brendshme dhe rikandidimit të tij. Për këtë takim, Lladrovci ka bërë të ditur se kishin biseduar për rreth tre orë.

Hamza njoftoi gjithashtu për një takim me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, i cili siguroi një tjetër fitore të madhe për PDK-në në këtë komunë. “Jemi bashkë në këtë rrugëtim të ri për një të ardhme më të mirë për Kosovën”, shkroi Hamza, ndër të tjera, pas takimit.

Të shtunën, Hamza mbajti një mbledhje të kryesisë së PDK-së, ku theksoi se “PDK është e vendosur t’ia rikthejë Kosovës normalitetin, stabilitetin dhe besimin te institucionet”.

Në orët e pasdites, kryetari Hamza udhëtoi për në Zvicër, ku u takua me strukturat e partisë, si dhe me ish-kandidatin për deputet, Ragip Xhaka. Në një postim në Facebook, Hamza theksoi se “kontributi i mërgatës për Kosovën tejkalon çdo distancë dhe kufi”.

“Me Ragipin dhe strukturat e PDK-së në Zvicër biseduam për zgjedhjet e 28 dhjetorit, për forcimin e lidhjeve me atdheun dhe për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës në zhvillimin e vendit. Nder dhe respekt për angazhimin e tyre”, shkroi Hamza.