Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për zhvillimet e fundit politike që lidhen me mundësinë e një kandidature për president nga familja Jashari, duke theksuar se qëndrimi i partisë do të bëhet i ditur vetëm pasi një emër konkret të procedohet zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës.
Hamza u shpreh se nuk dëshiron të paragjykojë apo të komentojë situata hipotetike pa u formalizuar procesi, duke nënvizuar respektin e veçantë që gëzon familja Jashari.
Sipas tij, deri në momentin kur një kandidaturë eventuale të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend, me nënshkrimet e nevojshme, çdo diskutim mbetet në nivel hipotetik.
“Nuk dëshiroj, nuk kom fol as atëherë as sot, me fol pa ndodh ngjarja. Është familje me shumë kontribute. Të gjithë e dijmë. Flasim me respektin më të madh. Çkado që bëjmë nuk është ekuivalente me atë se çka kanë dhënë për vendin. Dhe gjithmonë për familjen Jashari flas me kujdes dhe nuk flas para kohe. Për shkak se kam respekt, e ruaj vlerësimin më të lartë, e ruaj dinjitetin e familjes, të gjitha çështjet që lidhen me familjen dhe është rast tjetër në raport me të gjitha rastet tjera.
Por, derisa të vjen zyrtarisht në Kuvend, me nënshkrime, çfarëdo kandidati apo kandidate na flasim në mënyrë hipotetike. Deri sot nuk kom pas ndonjë bised drejtpërdrejt dhe nuk di dhe nuk jam në informacion të saktë se cili është pozicioni i tyre në raport me këtë çështje”, deklaroi ai në “Debat Plus”.
I pyetur nëse PDK ka ndonjë preferencë për një emër të caktuar nga familja Jashari, kreu i PDK-së refuzoi të përfshihet në çështje që i konsideron të brendshme familjare, duke theksuar se respekton secilin anëtar të saj.
“Nuk hy në mes familjes, aty ka njerëz me vlera, i respektoj të gjithë, i njoh të gjithë personalisht dhe nuk lëshohem në emra të përveçëm. Nuk mundem une me thanë a do të jetë Bashkimi a Murati a Bekimi”, përfundoi Hamza./Paparaci










