Hamza: Besim e mbi të gjitha përgjegjësi – Do angazhohem që këtë detyrë ta kryej me nder

Kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka folur për zgjedhjen e tij si kryetar, duke i falënderuar të gjithë delegatët dhe strukturat.

Hamza ka thënë se është besim i madh që i është dhënë, duke shtuar se është edhe përgjegjësi e madhe.

“Për mua ky është një besim i madh, është një nder i madh, por mbi gjitha është përgjegjësi. Me qenë lider i PDK-së është një përgjegjësi e madhe dhe unë jam i bindur që me gjitha kapacitet e mia, do të jem i angazhuar që këtë detyrë kaq të rëndësishme e të shenjtë ta kryej me nder, me sinqeritet. I hapur për të komunikuar me të gjithë”, ka thënë ai.

Ndërsa, për dorëheqjen e Memli Krasniqit tha se ka qenë vendim i tij.

“Nuk ka qenë kërkesë nga ana ime, nuk kemi arritë seriozisht me diskutu këtë pozicion kryeministër-kryetar. Vendimi ka qenë ekskluzivisht i mikut tim Memlit”, tha Hamza në Pressing.

Hamza: Konventa u thirr sipas statutit, dorëheqja e Krasniqit ishte vendim personal

Për Enver Hoxhajn, ka thënë se e ka mik dhe do të vazhdojë ta ketë.

Hoxhaj kishte kërkuar që konventa të shtyhet, duke shprehur ambicie të garojë në garën e brendshme.

“E vlerësoj për punën, angazhimin. Kjo është demokrcia, njerëzit më shfaq mendime të ndryshme, me i shpreh ato. Mundemi me u pajtu për çështje caktuara, për disa me pas mendime ndaras. Mendoj që kjo është vlerë. Sot të gjithë kush ka vlerësu e ka pas gatitshmërin me hy garë, kanë qenë kushtet e duhura”, ka thënë Hamza.

Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur sot Bedri Hamzën si kryetarin e ri të saj, në një proces votimi të cilin partia e ka përmbyllur pa asnjë votë kundër.