Hamza bën thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në protestën kundër Speciales

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive në protestën e së premtes kundër Gjykatës Speciale, që do të mbahet në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, duke filluar nga ora 17:00.

“Le të bashkohemi në protestën gjithëkombëtare në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe themeluesve të Republikës së Kosovës, që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, shkroi Hamza në Facebook.

Ish-kandidati për Kryeministër nga radhët e PDK-së theksoi se “nuk mund të heshtim kur po ndryshohet historia jonë!”.

Protestën në Tiranë e ka mbështetur edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa pritet që edhe të mbajë fjalim.

Mbështetje i ka dhënë edhe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Madje, ai ka pezulluar të gjitha aktivitetet elektorale të premten, ndonëse është mbyllja e fushatës për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.