Hamdi “GJYKSI” që i fitoi dy grante nga 100 mijë €, i del në mbrojtje Pecit pas intervistimit në Prokurorinë Speciale

Ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga ministri në detyrë, Faton Peci, për katër vjet qeverisje ka mbajtur primatin për skandale brenda këtij institucioni shtetëror. Shpërndarja e granteve për familjarë të ngushtë e të gjerë është ndër skandalet që bëri bujë të madhe në opinion.

Në mesin e bizneseve që kanë përfitur nga grantet është edhe “Dardha e Mirocit” me pronar Hamdi Jaha.

Jahaj, në vitin 2022, kishte fituar grant plot 99 mijë e 980 euro.

Jaha, së fundi i ka dalë në mbrojtje ‘dostit’ të tij, Pecit, pasi ky i fundit është intervistuar për orë të tëra nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit pas raportimit ekskluziv të Periskopit për skandalin me fabrikë e mbetjeve shtazore.

Përmes një statusi të gjatë, Jaha e ka cilësuar si ” inskenim i ulët dhe një hakmarrje e turpshme ndaj guximit për të sfiduar rrënjët e krimit dhe korrupsionit në këtë vend.”.

Jaha shkruan se në Ministrinë e Bujqësisë ka pasur transparencë e drejtësi, duke i përmendur edhe grantet ku përfitues ka qenë edhe vet ai, shkruan Periskopi.

”Grantet janë shpërndarë mbi bazën e meritës, prona publike janë liruar nga uzurpatorët, dhe fermerët e ndershëm janë përkrahur pa dallime politike”, ka shkruar ndër të tjerash ai.

 

Por, pas nje hulmutimi më të thellë të Periskopit del që ky nuk është rasti i vetëm ku fitues i grantit 100 mijë eurosh është Hamdi Jahaj.

Kandidati për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit në listë të Lëvizjes së Vetëvendosje, ka përfituar një grant edhe në vitin 2020.

Periskopi merr vesh se Peci, në atë vit miratoi edhe një tjetër projekt afro 100 mijë eurosh të Jahajt.

Por, kush është Hamdi Jaha, kandidati në listën e VV’së që nuk arriti të bëhej deputet?

Pronari i Dardha Mirocit, Hamdi Jaha është ish-drejtor në Komunën e Podujevës, në kohën e Agim Veliut.

Jahaj që kandidoi me numër 101 me VV-në, të njëjtin numër e kishte edhe në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 Kjo nuk është hera e parë që Faton Peci bën favorizime të tilla – Skandalet e tjera të tij

Fitore Pacollit, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim iu zbuluan dy skandale të cilat përbënin konflikt të interesit.

Vëllai i saj, Blerim Pacolli vetëm katër ditë pasi e kishte regjistruar biznesi, përfitoi grant në vlerë prej 100 mijë eurove nga Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci.

Të njëjtën shumë e kishte përfituar edhe daja i saj, Sylejman Islami.

Islami kishte konfirmuar se ka marr 60 mijë euro nga MBPZHR-ja derisa 30 mijë euro do i investoj vetë.

Peci kishte vendosur që ta shpërblejë edhe këshilltarin e jashtëm në kabinetin e ministrit, Naim Huruglica.

Përmes dokumenteve të siguruara nga Periskopi, doli që kompania “Iron Consulting”, me pronar këshilltarin e jashtëm të Pecit, Naim Huruglica, ka fituar grant nga AZHB për projektin 100 mijë eurosh.

Ndryshe, prej ardhjes së Faton Pecit në krye të Ministrisë së Bujqësisë, listat e përfituesve nuk janë të protokolluara, gjë që ngjallë dyshime për dallavere të tjera.