Hamdi Bytyqi do të jetë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar komune në Therandë. Ky vendim u konfirmua sot në një takim të mbajtur në prani të krerëve të kësaj force politike, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, sekretarin organizativ Dimal Basha, koordinatorin e Qendrave Bashkim Rama, deputetin Salih Zyba, kryetarin e Qendrës në Therandë Jetmir Durmishi, si dhe sekretarin për Media të VV-së, Arlind Manxhuka, përcjell KosovaPost.
Në këtë takim u theksua vendosmëria për ta çuar përpara frymën zhvillimore të Qeverisë qendrore edhe në nivelin lokal, duke vendosur qytetarin dhe komunitetin në qendër të qeverisjes. Lëvizja VETËVENDOSJE! prezantoi kandidaturën e Bytyqit si alternativën më të mirë për të udhëhequr Therandën në rrugën e zhvillimit, transparencës dhe përfshirjes qytetare.
“Bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale është çelësi për të realizuar projektet e nevojshme për qytetarët. Këtë binom do ta ndërtojmë edhe në Therandë, për të sjellë ndryshimin që qytetarët meritojnë”, u tha gjatë prezantimit.
Përkrahësit dhe aktivistët e VV-së u bëjnë thirrje qytetarëve të Therandës të angazhohen çdo ditë, në çdo lagje e fshat, për të sjellë një fitore të madhe që do të përkthehet në investime konkrete dhe mirëqenie për të gjithë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! premton një qeverisje lokale me integritet, llogaridhënie dhe zhvillim të qëndrueshëm – një vazhdimësi e qartë e vizionit të Qeverisë qendrore, tashmë e provuar në nivel shtetëror.
“Urime qytetarëve të Therandës – rruga drejt vetëvendosjes lokale ka nisur. Na priftë e mbara!”, thuhet në njoftimin e VV-së.
The post Hamdi Bytyqi, kandidat për kryetar të Komunës së Therandës nga VV-ja appeared first on Kosovapost.net.