Hamasi tha të enjten se kërcënimet e përsëritura të presidentit amerikan, Donald Trump, kundër palestinezëve përbëjnë mbështetje për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që të tërhiqet nga armëpushimi në Gaza dhe ta intensifikojë rrethimin e Gazës.
Trumpi kërkoi të mërkurën që Hamasi “t’i lirojë të gjitha pengjet tani, jo më vonë”, përfshirë trupat e pengjeve të vdekura, “ose MBAROI për ju”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një përgjigje për këtë agjenci, zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif Al-Qanoua, tha: “Rruga më e mirë për t’i liruar të burgosurit e mbetur izraelitë është që pushtimi (Izraeli) të futet në fazën e dytë (të armëpushimit) dhe detyrimi i tij që t’i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar nën sponsorizimin e ndërmjetësve.”
Armëpushimi në Gaza, i cili hyri në fuqi në janar, u negociua me pjesëmarrjen e një emisari të Trumpit bashkë me të dërguar të administratës në largim të ish-presidentit Joe Biden. Në pakt bëhet thirrje që pengjet e mbetura të lirohen në fazën e dytë të armëpushimit, gjatë të cilës do të negocioheshin planet përfundimtare për përfundimin e luftës.
Faza e parë e armëpushimit përfundoi të shtunën dhe Izraeli ka vendosur bllokadë të plotë për hyrjen e mallrave në Gaza, duke kërkuar që Hamasi t’i lirojë pengjet e mbetura pa filluar bisedimet për përfundimin e luftës.
Palestinezët thonë se kjo bllokadë mund të shkaktojë vdekje nga uria në mesin e popullsisë prej 2,3 milionë banorësh që jetojnë në rrënojat e Gazës, transmeton nacionale.
Trumpi e bëri kërcënimin e ri pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën me një grup të pengjeve që ishin liruar gjatë fazës së parë të armëpushimit në Gaza.
“Unë do t’i dërgoj Izraelit gjithçka që i nevojitet për ta kryer punën, asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt, nëse ju nuk bëni ashtu si them unë” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”.