Hamasi ka refuzuar propozimin izraelit për një armëpushim gjashtëjavor në Gaza, i cili përfshinte kërkesën që grupi i armatosur të dorëzonte armët.
Një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat tha se plani nuk përfshinte asnjë angazhim për përfundimin e luftës dhe as për tërheqjen e trupave izraelite – që janë kërkesat kyçe të Hamasit – në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve të gjalla që ata mbajnë. Kjo ndodh ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën ushtarake në Gaza.
Një roje sigurie ka humbur jetën dhe nëntë persona janë plagosur nga një sulm ajror në spitalin Al-Awda në Khan Younis, njoftoi spitali. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk kanë komentuar menjëherë sulmin, raportoi bbc.
Ndërkohë, një agjenci e OKB-së ka paralajmëruar se “situata humanitare në Gaza është tani ndoshta më e rënda në 18 muaj që nga shpërthimi i konfliktit”.
Kanë kaluar gjashtë javë që kur Izraeli ka lejuar hyrjen e ndihmave në enklavën palestineze – ndërprerja më e gjatë deri më tani. Agjencitë e OKB-së i kanë kundërshtuar fuqishëm pretendimet e Izraelit se ka ushqim të mjaftueshëm në Gaza për një periudhë më të gjatë dhe sugjerojnë se bllokada mund të përbëjë shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare.
Thuhet se Izraeli e ka dorëzuar propozimin më të fundit për armëpushim tek ndërmjetësit rajonalë në fund të javës së kaluar, vetëm disa ditë pas takimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu me presidentin amerikan, Donald Trump në Uashington.
Mendohet se është hera e parë që Izraeli e ka vendosur çarmatimin e Hamasit si kusht për përparimin në negociatat për armëpushim – gjë e papranueshme për këtë grup.
Zyrtari palestinez akuzoi Izraelin për zvarritje të procesit, duke pretenduar se ata duan vetëm kthimin e pengjeve, por duan të vazhdojnë luftën.
Ndryshe, besohet se në Gaza ndodhen ende 59 pengje, nga të cilët 24 janë të gjallë.
Izraeli thotë se më 7 tetor, rreth 1200 njerëz janë vrarë në sulmet e udhëhequra nga Hamasi dhe 251 persona janë marrë peng, çka edhe ka shkaktuar shpërthimin e luftës.