Hamasi tha të enjten se do të lirojë tre pengje të tjerë izraelitë siç ishte planifikuar, duke hapur rrugën drejt zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje të madhe mbi armëpushimin në Rripin e Gazës.
Hamasi kishte kërcënuar se do të vononte lirimin e radhës të pengjeve, duke akuzuar Izraelin se nuk po përmbushte detyrimet të tij për të lejuar ngritjen e tendave dhe strehimeve për palestinezët e kthyer në shtëpitë e tyre të shkatërruara. Izraeli, me mbështetjen e Presidentit amerikan Donald Trump, kishte kërcënuar se do të rifillonte ofensivën nëse pengjet nuk liroheshin.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli për njoftimin e Hamasit, por vendimi duhet të lejojë që armëpushimi të vazhdojë për momentin, megjithëse e ardhmja e tij mbetet në dyshim.
Hamasi tha se delegacioni i tij zhvilloi bisedime në Kajro me zyrtarë egjiptianë dhe ishte në kontakt me kryeministrin e Katarit për të sjellë në Gazë më shumë tenda, artikuj mjekësorë, karburant dhe makineri të rënda për pastrimin e rrënojave. Këto ishin kërkesat kryesore të Hamasit në ditët e fundit. Hamasi tha përmes një deklarate se ndërmjetësit ishin zotuar të “heqin të gjitha pengesat”.
Menjëherë pas njoftimit, zëdhënësi i Hamasit Abdul Latif al-Qanou konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press me telefon se tre pengje do të lirohen të shtunën.
Televizioni shtetëror i Egjiptit TV Qahera, i cili është i afërt me forcat e sigurisë, raportoi se Egjipti dhe Katari kishin arritur të zgjidhnin mosmarrëveshjet. Dy vendet arabe kanë shërbyer si ndërmjetës kryesorë mes Hamasit dhe Izraelit dhe kanë ndihmuar në ndërmjetësimin e armëpushimit, i cili hyri në fuqi në janar, më shumë se 15 muaj pas fillimit të luftës.
Media egjiptiane transmetoi gjithashtu pamje që tregonin kamionë të ngarkuar me shtëpi të lëvizshme dhe buldozerë në anën egjiptiane të kufirit me Gazën, në Rafah. Ato njoftuan se kamionët po shkonin në një zonë inspektimi izraelite përpara se të kalonin kalonin në Rripin e Gazës.
Pasiguritë mbi të ardhmen e armëpushimit
Armëpushimi përballet me një sfidë shumë më të madhe në javët e ardhshme. Faza e parë do të përfundojë në fillim të marsit dhe nuk ka patur ende negociata thelbësore për fazën e dytë, në të cilën Hamasi do të lironte dhjetëra pengje të mbetura në këmbim të ndërprerjesë së luftës.
Propozimi i Presidentit Trump për të larguar rreth 2 milionë palestinezë nga Gaza dhe për t’i vendosur ata në vende të tjera të rajonit ka vënë në dyshim të ardhmen e armëpushimit. Plani është mirëpritur nga Izraeli, por është kundërshtuar me forcë nga palestinezët dhe vendet arabe, të cilat kanë refuzuar të pranojnë valë refugjatësh palestinezë. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se kjo mund të përbënte një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar.
Aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po bëjnë thirrje tashmë për një rifillim të luftës pas fazës së parë me qëllim zbatimin e planit të Presidentit Trump dhe asgjësimin e Hamasit, që mbetet në kontroll të territorit pasi i mbijetoi një prej fushatave ushtarake më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në dekadat e fundit.
Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Më shumë se gjysma e pengjeve janë liruar, bazuar në disa marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit, tetë prej tyre janë shpëtuar dhe trupat e dhjetëra të tjerëve janë gjetur nga ushtria izraelite.
Pengjet janë e vetmja fuqi e mbetur e Hamasit në negociatat me Izraelin dhe mund të jetë e vështirë që grupi lirojë më shumë pengje nëse nuk merr garanci se lufta nuk do të rifillonte pas lirimit të tyre.
Presidenti Trump ka dhënë sinjale të ndryshme për atë që dëshiron të shohë në Gaza.
Ai mori meritën për ndërmjetësimin e armëpushimit, i cili u arrit disa ditë përpara se ai të fillonte mandatin e dytë. Por ai gjithashtu ka shprehur dyshime për mënyrën se si po zbatohet marrëveshja dhe thotë se i takon Izraelit nëse do të rifillojë luftën apo jo, ndërsa ka premtuar mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për ushtrinë izraelite.
Shtatëdhjetë e tre pengje ende nuk janë liruar, rreth gjysma e të cilëve besohet të jenë të vdekur. Pothuajse të gjitha pengjet e mbetura janë burra, përfshirë ushtarë izraelitë.
Në ofensivën e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 48,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila në raportimet e saj nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve. Izraeli thotë se ka vrarë mbi 17,000 militantë.
Ofensiva e Izraelit ka shkaktuar shkatërrimin e pjesëve të mëdha të Gazës. Në kulmin e tyre, luftimet shkaktuan zhvendosjen e 90% të popullsisë së territorit prej 2.3 milionë banorësh. Qindra mijëra njerëz u kthyen në shtëpitë e tyre pas arritjes së armëpushimit, ndonëse shumë prej tyre kanë gjetur vetëm grumbuj rrënojash dhe mbetje njerëzore dhe municione të pashpërthyera.
Një ‘luftë e re’ ka të ngjarë të jetë shumë më e rëndë
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke i bërë jehonë komenteve të Presidentit Trump, tha të mërkurën se “do të fillonte një sulm i ashpër” nëse Hamasi ndalon lirimin e pengjeve. Ai tha se një “luftë e re në Gaza” nuk do të përfundonte deri në mposhtjen e Hamasit, gjë që do të lejonte zbatimin e vizionit të Presidentit Trump për zhvendosjen masive të banorëve të Rripit të Gazës.
Duke marrë parasysh numrin më të vogël të pengjeve të mbetura në Gazë, ushtria izraelite do të kishte më shumë liri për të vepruar. Ajo gjithashtu do të përballej me shumë më pak kufizime nga Shtetet e Bashkuara, mbrojtësi i saj kryesor ushtarak. Administrata e Presidentit Biden, ndonëse ofronte mbështetje thelbësore ushtarake dhe diplomatike, herë pas here ushtronte trysni mbi Izraelin që të lejonte kalimin e më shumë ndihmave për civilët në Rripn e Gazës dhe në një moment pezulloi disa dërgesa armësh. Administrata e Presidentit Biden kishte thënë gjithashtu se nuk duhet të ketë zhvendosje të përhershme të popullsisë palestineze të Gazës.
Presidenti Trump ka hequr kufizimet ndaj transferimit të armëve për Izraelin dhe do të përfundojë procesin e shitjes së armëve me vlerë 7 miliardë dollarë të miratuar gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden.
Presidenti Trump ka thënë se popullsia e Gazës duhet të zhvendoset diku tjetër në rajon dhe për këtë duhet të paguajnë vendet e pasura arabe. Ai ka sugjeruar që pasi të mbarojnë luftimet, Izraeli do të duhet të transferonte kontrollin e Gazës tek Shtetet e Bashkuara, të cilat më pas do ta zhvillonin dhe shndërronin atë në “Një Qendër Turizimi të Lindjes së Mesme”.
Ministri izraelit i financave Bezalel Smotrich, një partner kyç në koalicionin e brishtë qeverisës të kryeministrit Netanyahu, ka bërë thirrje për rifillimin e luftës, “emigrimin vullnetar” të një numri të madh palestinezësh nga Gaza dhe rikthimin e vendbanimeve hebraike atje. VOA