Hamas-i liron dy pengje, pritet të dorëzohen edhe katër të tjerë

Dy pengjet janë Avera Mengistu, i cili u kap në vitin 2014 pasi kaloi në Gaza dhe Tal Shoham, 40 vjeç, i cili u mor nga Kibbutz Be’eri më 7 tetor 2023.

Dy nga gjashtë pengjet që do të lirohen të shtunën u janë dorëzuar Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) nga Kryqi i Kuq.

Dy pengjet janë Avera Mengistu, i cili u kap në vitin 2014 pasi kaloi në Gaza dhe Tal Shoham, 40 vjeç, i cili u mor nga Kibbutz Be’eri më 7 tetor 2023.

“Dy pengjet e kthyera po shoqërohen aktualisht nga forcat speciale të IDF-së dhe forcat ISA (Agjencia e Sigurisë së Izraelit) në kthimin e tyre në territorin izraelit, ku do t’i nënshtrohen një vlerësimi fillestar mjekësor”, thuhet në një deklaratë nga IDF-ja.

“IDF është e përgatitur të marrë pengje shtesë që do të transferohen në Kryqin e Kuq në të ardhmen e afërt”, shton njoftimi.

Nën një shi të ftohtë dimri në Rafah, luftëtarët e Hamas-it të mbathur me veshje ushtarake, kapela dhe shirita koke të Hamas-it qëndruan në një shesh rreth hapësirës ku do të bëhej dorëzimi.

Në një shfaqje force pas muajsh bombardimesh dhe sulmesh që vranë krerët kryesorë të grupit, disa luftëtarë mbanin armë automatike, të tjerë raketahedhës.

Flamuri jeshil i Hamas-it u valëvit rreth sheshit mbi ndërtesat e shkatërruara nga lufta në territorin palestinez.

Grupi mbrojtës i Klubit të të Burgosurve Palestinez tha se Izraeli do të lironte 602 të burgosur të shtunën si pjesë e shkëmbimit.

Një zëdhënëse e OJQ-së i tha AFP-së se shumica ishin Gazanë të arrestuar pas fillimit të luftës.

Ajo shtoi se 108 prej të burgosurve do të dëbohen jashtë Izraelit dhe territoreve palestineze pas lirimit të tyre.

Kujtojmë që, të shtunën pritet të lirohen edhe katër pengje të tjerë:

Eliya Cohen: 27 vjeç, ai dhe e dashura e tij fillimisht u fshehën nga sulmuesit e Hamas-it më 7 tetor në një strehë, por ai u zbulua dhe u kap. Në qershor, u publikuan pamjet e Hamas-it që tregonin momentin kur Eliya dhe të tjerët u kapën rob.

Omer Shem Tov: 22 vjeç, ai fillimisht u arratis me makinën e tij, por u kap kur u përpoq të shpëtonte miqtë e tij, Maya dhe Itai Regev. Të tre u kapën robër – vëllezërit e motrat Regev u liruan në nëntor 2023, por ata thonë se kishin qenë me Omer-in në robëri.

Omer Wenkert: Një menaxher restoranti 23 vjeç. Ai i dërgoi një mesazh familjes së tij për të thënë se po shkonte në një strehë të sigurt, por më pas humbi kontaktin me ta. Familja e tij thotë se panë pamjet video të Hamas-it të Omerit, duke përfshirë një foto të tij të prangosur dhe të mbathur vetëm me të brendshme.

Hisham al-Sayed: Një beduin arab izraelit që është mbajtur në Gaza që nga viti 2015. Hamasi thotë se ai dhe Avera Mengistu janë ushtarë, por dokumentet izraelite të parë nga Human Rights Watch tregojnë se të dy janë civilë që janë përjashtuar nga shërbimi ushtarak. Të dy kaluan vetë në Gaza. Në qershor 2022 Hamasi publikoi një video që tregonte al-Sayed në robëri.