Të mërkurën, për vizitë në Kosovë do të qëndrojë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Departamenti Amerikan i Shtetit, derisa ka njoftuar për vizitën e tij ka thënë që temë diskutimi do jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi.
Ndërsa, ardhja e tij në Prishtinë po ndodhë pikërisht në kohën kur raportet ShBA-Kosovë janë të tensionuara.
E, krejt kjo për shkak të çështjes së dinarit.
Të martën, Escobar në një konferencë për media në Bruksel para gazetarëve vendimin e autoriteteve të Kosovës për çështjen e dinarit e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent”.
Por, cili është qëllimi i vizitës së tij në Kosovë për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti dhe njohës të çështjeve politike.
Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti ka thënë për Front Online se qëllimi kryesor i ardhjes së të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është përafrimi i raportove dhe vendimi për dinarin.
“Unë mendoj që qëllimi i ardhjes së Gabriel Escobar në Kosovë është edhe përafrimi i këtyre raporteve, përmirësimi i raporteve edhe marrja e përgjegjësive që duhet t’i merr Qeveria e Kosovës lidhur me çështjet që janë disa strategjike e disa emergjente. Emergjente është dinari për të cilin SHBA-ja është deklaruar që duhet t’iu jepet serbëve një hapësirë kohore që qytetarët të mësohen dhe ta dinë se çka do të ndodhë edhe çështja e fillimit të bisedimeve ose përshpejtimit të fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara”, është shprehur Haliti për Front Online.
Sipas tij, tensionet në raportet SHBA-Kosovë janë si pasojë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës të cilat nga SHBA-ja janë vlerësuar të ngutshme.
I, pyetur se a është kthyer i tërë fokusi tek çështja e dinarit, Haliti ka thënë se ky i fundit nuk është çështje kryesore.
Por, se siç thotë ai këtë Serbia po e shfrytëzon me të madhe për të mos filluar zbatimin e marrëveshjeve.
“Dinari nuk është çështje kryesore. Dinari është më shumë problem të cilin Serbia po e përdor me të madhe për të mos filluar zbatimin e marrëveshjeve që janë të nënshkruara, por çështje kryesore janë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Nëse ne e kemi bërë një gabim shtesë ose një problem i cili është konsideruar si i gabueshëm nga partnerët tonë strategjikë siç janë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian atëherë domosdoshmërisht që do të bisedohet në çdo situatë për at evituar edhe këtë problem shtesë”, ka thënë dnër të tjera Haliti.
Xhavit Haliti: Çështja e Asociacionit zgjidhet këtë vit me ose pa këtë Qeveri, Kurti po luan lojë
Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti ka thënë për Front Online ka folur për Front Online edhe për çështjen e Asociacionit dhe mos dërgimin e draftit në Kushtetuese duke deklaruar se me këtë kryeministri Albin Kurti është duke e luajtur një lojë.
“Çështja e Asociacionit zgjidhet në këtë vit, me këtë Qeveri ose me Qeverinë e ardhshme nuk mund ta parashikoj, por taktikisht mendoj që Qeveria ose Kurti është duke e luajtur një lojë që me shpalljen e zgjedhjeve, Gjykata kushtetuese dhe Qeveria të kenë hapësirë kohore deri në përfundim të fushatës ose të zgjedhjeve për ta deklaruar kauzën e tyre kundër Asociacionit si të realizuar dhe të realizueshme për faktin se Kushtetuesja pas dorëzimit të statutit për shqyrtim i merr të paktën 6 muaj për të kthyer përgjigje dhe Qeverisë mendoj që i konvenon kjo situatë”, ka thënë deputeti Haliti.
Demhasaj: Ngërçi në dialog, dinari dhe Asociacioni po e sjellin Escobarin në Kosovë
Analisti politik, Arton Demhasaj ka deklaruar për Front Online se janë disa çështje me rëndësi të cilat po e sjellin për vizitë në Kosovë të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Madje, sipas tij qëllimi është shumë i qartë.
“Qëllimi është shumë i qartë. Po shohim që ka një ngërç në dialog sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Njëkohësisht çështja e dinarit nga partnerët ndërkombëtarë po konsiderohet se po e pengon zbatimin e marrëveshjeve, pra këto besoj që kanë me qenë temat e diskutimit. Me shumë gjasë do të ketë presion ende më të madh te Qeveria e Kosovës për me shty marrëveshjen e zbatimit të dinarit, njëkohësisht me pranua draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pastaj me dërgu në Kushtetuese për me lëviz tutje”, ka thënë Demhasaj për Front Online.
Kurse, për mos dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese nga ana e Qeverisë, Demhasaj ka deklaruar se nevojiten disa procedura.
Por, se thotë se vonesën po e sheh si të qëllimshme nga kryeministri për shkak të zgjedhjeve.
“Kryeministri po më duket që qëllimisht po e shtyn zbatimin ose pranimin e draft-statutit për me ble kohë që me shumë gjasë të paktën qysh unë po e interpretoj qëllimi i tij është me kry mandatin e parë pa e themelua Asociacionin dhe pastaj me dal prapë në fushatë dhe me thënë që për katër vjet në Qeverisje ne nuk e bëmë Asociacionin e mandej kur të vjen herën tjetër normalisht që s’ka qare dhe e bën atë”, ka shtuar Demhasaj.
Arifi: Qëllimi i vizitës së Escobarit vendosja e afateve kohore për zbatimin e marrëveshjes franko-gjermane
Por, ndryshe po mendon analisti politik Dritero Arifi.
Ai thotë se qëllimi i vetëm i vizitës në Kosovë së të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar , është vendosja e afateve kohore për zbatimin e marrëveshjes franko-gjermane.
“Qëllimi kryesor dhe i vetëm është që Kosovës t’i vendosen afate kohore se kur duhet ta zbatojë marrëveshjen franko-gjermane. Nuk besoj se ka arsye tjetër vizita e tij sepse po kuptohet që për këtë administratë kjo do të jetë vizita e fundit e administratës së Joe Bidenit që i bën Qeverisë së Kosovës”, është shprehur Arifi për Front Online.
Sipas tij, afatet kohore do të jenë specifike, në të kundërtën Kosova do të mbetet e izoluar edhe për shumë kohë.
“Pra, në një formë edhe sipas intervistës së Escobarit u kuptua që nuk ka fare komunikim mes dy qeverive , por jo vetëm. Nuk është qëllimi që Kosova ka problem në komunikim vetëm me SHBA-në por edhe me BE-në dhe me NATO-n. Në një farë forme po mendoj se Kosovës do t’i vendosen afate specifike kohore, nëse jo në të kundërtën Kosova do të mbetet e izoluar edhe për shumë kohë”, ka thënë ai për Front Online.
Front Online për vizitën e Escobarit në Kosovë dhe qëllimin e kësaj vizite ka kërkuar përgjigje edhe nga partitë e tjera në vend, por që as nga VV-ja, AAK-ja e LDK-ja nuk kanë kthyer përgjigje.
DASH ka njoftuar që Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024.
Gabriel Escobar do të zhvillojë takim edhe me ndërmjetësuesin Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak në Bruksel.