Haliti: Kurti e ka një zar në xhep, vetëm sa nuk tha që LDK-ja do të na mbështesë

 

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka komentuar deklarimin e kryeministrit Albin Kurti pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku në lidhje me çështjen e presidentit.

Haliti në KTV, në bazë të deklarimit të Kurtit konsideron që LDK-ja është e gatshme ta mbështesë vetëm se nuk është i sigurtë se a do të qëndrojnë në sallë të gjithë deputetët e tyre.

“Personalisht mendoj se e ka një zar në xhep që ndoshta e nxjerr në ndonjë moment. Sot, qysh e deklaroi Kurti që bëhen 81 vota me LDK-në, vetëm sa nuk tha që LDK-ja është e gatshme vetëm se a do të rrijnë të gjithë në sallën e Kuvendit apo s’do të rrijnë. Megjithatë shoh që ka propozime të ndryshme, përfshirë familjen Jashari, Haradinajn dhe të tjerë, por mendoj se duhet të ketë një marrëveshje politike. Politika nuk duhet të thjeshtohet në familje. Posti i presidentit të vendit është politik dhe duke qenë i tillë, nëse pajtohen të gjithë për mua nuk ka problem, mjafton të jetë kandidaturë unifikuese”, ka thënë Haliti.

Haliti tutje ka deklaruar se kandidatin e PDK-së mund ta propozojë edhe Albin Kurti dhe se si parti nuk mund ta zgjedhin pa e dashur edhe Kurti atë.

Deputeti i PDK-së këtë qëndrim e arsyetoi duke deklaruar që duhet një kandidat i përshtatshëm që të ketë bashkëpunim me të si kryeministër.

“Kandidatin e PDK-së mund ta propozojë edhe Albin Kurti. Ne nuk mund ta zgjedhim kandidatin tonë pa dashur Kurti. Në qoftë se ne e propozojmë një kandidat që ai mendon që s’mund të punojë me të, nuk mundet sepse duhet bashkëpunim president/kryeministër. Po flas në emrin tim. Albin Kurti po i konsumon në media takimet. Besoj që është e përafërt ideja që do të zgjedhet presidenti i Kosovës, më e përafërt sesa të shkuarit në zgjedhje. Nëse do të kishim marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, pavarësisht që unë personalisht jam kundër, do ta ulnin tensionin mes PDK-së dhe LVV-së”, ka thënë Haliti.

Sa i përket presidentes Vjosa Osmani, deputeti Haliti e ka cilësuar si jo-unifikuese gjatë mandatit të saj. Duke e theksuar qëndrimin për Osmanin, Haliti potencoi se do të duhej që në ndonjë udhëtim zyrtar ta merrte dikë prej opozitës.

Sipas Halitit megjithatë Osmani ka pasur situata që kanë qenë të favorshme për Kosovën, por që sipas tij, jo edhe për kryeministrin Albin Kurti.

“Osmani ka pasur situata interesante që kanë qenë të favorshme edhe për Kosovën, por që nuk kanë qenë të favorshme dhe as të mirëpritura nga kryeministri i Kosovës. I ka pasur të metat e saja, sepse një ndër obligimet e saj kryesore është përfaqësimi dhe unifikimi i qytetarëve të Kosovës, e veprimet e saj nuk kanë qenë bashkëpunues as vizualisht me opozitën. Në asnjë udhëtim zyrtar nuk e kam parë kurrë që e ka marrë dikë të opozitës me vete ose ndonjë deputet me vete. Presidentët e tjerë të botës, përveç që e marrin pozitën e opozitën me vete marrin ndonjëherë edhe biznese me vete, varësisht se me kë takohet”, ka thënë Haliti.

Deputeti i PDK-së megjithatë vlerësoi se takimet e Osmanit në arenën ndërkombëtare kanë qenë në tavolina joformale ose në konferenca dhe sipas tij takime dypalëshe a tripalëshe me flamuj prapa ka pasur shumë pak, ndërsa kryeministri s’ka pasur fare.