Halit Azemi, mbrojtësi ligjor i shqiptarëve të Luginës

Gjilan – Avokati Halit Azemi është ndër figurat më të guximshme dhe më të përkushtuara në mbrojtje të shqiptarëve të Luginës. Në çdo proces gjyqësor ku përfshiheshin shqiptarë të kësaj treve, Azemi ka qenë i pranishëm, shpesh duke i mbrojtur luftëtarët edhe pa asnjë shpërblim financiar. Me të drejtë, në Bujanoc e quajnë “mbrojtësi ligjor” i tyre.

Në karrierën e tij profesionale, Azemi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke përfaqësuar raste madhore dhe duke ofruar mbrojtje ligjore për shumë shqiptarë të Luginës, të cilët shpesh përballeshin me trajtim të padrejtë nëpër korridoret e gjykatave në Kosovë.

Ai ka dëshmuar gjithmonë vullnet, përkushtim dhe ndjeshmëri të lartë ndaj fateve të kësaj popullate, edhe kur proceset gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së ishin të gjata, të lodhshme dhe emocionalisht të rënda.

Përveç çështjeve penale, avokati Azemi ka bërë një punë të palodhur edhe në proceset civile që lidhen me Luginën, duke ngritur zërin aty ku duhej dhe duke artikuluar kërkesat e një komuniteti të lënë shpesh në harresë institucionale.

“Kanë kaluar 25 vite pas luftës në Kosovë dhe gjendja e shqiptarëve të Luginës nuk ka ndryshuar aspak për të mirë; ende mbeten pa status politik dhe pa zgjidhje të fateve të të dëbuarve,” thekson Azemi.

Ai, i cili ka mbrojtur shumicën e luftëtarëve dhe veteranëve të UÇPMB-së, nënvizon se asnjë qeverisje komunale, e asnjë Qeveri e pasluftës, nuk e ka trajtuar me seriozitetin e merituar çështjen e shqiptarëve të Luginës.

“Kosova dhe komunat e saj kanë obligim moral dhe institucional ta ndihmojnë këtë popullatë të pambrojtur, të lënë pasdore dhe shpesh të harruar. Komuna e Gjilanit ka bërë shumë pak – më tepër për populizëm sesa për zgjidhje reale. Mjafton të shikoni gjendjen e ish-luftëtarëve dhe veteranëve, të cilët sot jetojnë nën mëshirën e kohës, pa përkujdesjen e domosdoshme. Edhe Shqipëria, edhe Kosova duhet ta trajtojnë me dinjitet dhe seriozitet fatin e shqiptarëve të Luginës dhe të mijëra familjeve të dëbuara që sot janë të shpërndara në qytetet e Kosovës,” deklaron Azemi./rajonipress/