“Hajvanati” i Kurtit, Financial Times shpjegon se si i denigroi në terma kafshësh opozitën

Fyerjet e Albin Kurtit, kryetarit të Vetëvendosje ndaj opozitës duke i quajtur ata “hajvana”, kanë zënë vend edhe në ballinat e mediave të njohura ndërkombëtare. Së fundi, Financial Times, në një artikull për zgjedhjet parlamentare në Kosovë përmend mes tjerash edhe ofendimet e Kurtit, derisa ua shpjegon lexuesve të vet edhe se çka do të thotë fjala “hajvan”.

Mediumi i njohur britanik e nis artikullin duke treguar se Kurti do të detyrohet të kërkojë partner koalicioni, pasi dështoi që të fitojë shumicën e ulëseve në Kuvendin e Kosovës.

“Kurti, një nacionalist i majtë i linjës së ashpër, i cili ka ngritur nervat mes politikanëve rivalë, udhëheqësve ballkanikë dhe aleatëve të Kosovës që nga ardhja në pushtet në vitin 2021, fitoi pak më shumë se 40 për qind të votave në votimet e së dielës. Tri partitë kryesore opozitare, të cilat kanë një qëndrim më të fortë properëndimor se Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, morën së bashku 47 për qind” – thuhet në artikull.

Tutje, shkruan se një qeverisje më pro-perëndimore do të mirëpritet nga aleatët, të cilët e shohin nacionalizmin në rritje të vendit nën pushtetin e Albin Kurtit si kërcënim për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Hayvan

Mediumi i njohur mes tjerash ka shkruar për tonet e Kurtit gjatë “festës” së Vetëvendosjes të dielën vonë. Madje, shpjegon edhe se çfarë do të thotë fjala “hajvan”

“I patë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë: thojshin buxheti i shtetit do të bëhet ma i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash” – tha Kurti në Prishtinë, derisa “FT” tregon se kjo është fjalë shqipe për kafshë dhe se përdoret si term nënçmues.

“Ata premtuan rritje pagash më shumë se sa që kanë mjete…Por koha e hajvanave ka kaluar”.

Mes tjerash përmenden edhe deklaratat e Bedri Hamzës, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, i cili përjashtoi koalicionin e mundshëm me Kurtin.

“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Vetëvendosjen. Kemi shumë dallime, ata duan pushtet absolut”.

Edward Joseph, eksperti për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, ka thënë se palët në Prishtinë duhet të rregullojnë aleancat perëndimore.

“Nëse duan marrëdhënie të mira me SHBA-në, do të duhet të kenë parasysh se çfarë diktojnë interesat strategjike të Kosovës” – tha Joseph. “Ky është një vend i vogël me një fqinj shumë armiqësor si Serbia, i cili ka mbështetje nga Rusia, Kina dhe madje edhe Irani. . . Ju duhet SHBA-ja. Është një realitet strategjik”.

Analisti Agon Maliqi ka thënë se përpara janë disa sfida.

“Skenari i vetëm në të cilin unë shoh një qeveri më të mbështetur në dialog është një koalicion më i madh mes Kurtit dhe një prej partive kryesore opozitare” – ka thënë ai.

“Opozita dhe Kurti kanë pikëpamje shumë të ndryshme” – shtoi Maliqi. “Të gjitha partitë opozitare do të preferonin të koordinoheshin me perëndimin. . . Por bazuar në retorikën e mbrëmshme, Kurti duket se është në modalitet polarizimi, jo konsensusi”.