Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, pas ndërprerjes së seancës konstituive foli para gazetarëve. Më poshtë, do t’i lexoni disa prej deklaratave më interesante të kryetares së Guxo-s, ku përmenden jashtëtokësorët, hajvanët, ndërkombëtarët e të tjera…
Fillimisht, theksojmë se për herën e dhjetë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, me partinë e parë që po kërkon votim të fshehtë dhe opozitën e deritanishme që po refuzon një gjë të tillë.
“Bllokadë e pakuptueshme dhe e pakuptimtë”
Të dy palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se po shkaktojnë bllokadën në konstituimin e institucioneve.
Për Gërvallën, përveç e papranueshme, bllokada është edhe “e pakuptimtë” dhe “e pakuptueshme”.
“Sot patëm edhe një përpjekje për të vazhduar për të ecur përpara, për të thyer bllokadën totalisht të pakuptueshme dhe të pakuptimtë në konstituimin e institucioneve, duke nisur nga Kuvendi.
Kjo bllokadë është krejtësisht e papranueshme, dhe prandaj, irritimi i shkaktuar nga sjellja e opozitës do të duhej të merret parasysh dhe mos t’ia mohojë të drejtën e votën deputetëve të saj”.
“S’po komentojnë juristët”
Njohës të çështjeve juridike kanë shprehur komentet e tyre në lidhje me kërkesën e Vetëvendosjes që ta ndryshojë mënyrën e votimit. Këtu, përfshihen edhe figura si Enver Hasani, që ka qenë në krye të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, kryediplomatja në largim është e bindur se “s’po komentojnë juristët”, por opinionistët.
“Tani çështja e komenteve, nuk kanë komentuar juristët, kanë komentuar ata që komentojnë gjithmonë, opinionistët dhe ata që komentojnë gjithmonë. Nëse opozita mendon që votimi fshehtë është shkelje e Kushtetutës…le t’na çojnë në Kushtetutës, dhe e shohim a është apo nuk është”.
“Votat s’mund të sigurohen nga jashtëtokësorët”
Gjatë këtij deklarimi, Gërvalla tha se janë dy alternativa, që VV ta bëjë Qeverinë ose opozita me Listën Serbe.
Sipas saj, jashtëtokësorët nuk mund ta vijnë e të sigurojnë vota për partitë opozitare. Megjithatë, ajo la të kuptohet se opozita po e pret ndihmën e Listës Serbe dhe ndërkombëtarëve.
“Vetëm dy alternativa ka, ose koalicioni fitues e bën qeverinë, ose opozita me Listën Serbe. Këto janë dy koalicione të mundshme nuk ka të tjera, se nuk mund të vijnë jashtëtokësorët të sigurojnë vota për partitë opozitare.
“Opozita si duket pret nga jashtë, cila është ndihma nga jashtë? Pritet ndonjë ndërkombëtar që do t’ua japë arsyetimin për të thënë që ja ne s’deshëm por na thanë ndërkombëtarët, apo ky, apo ai”
“S’ka asgjë më demokratike se vota e fshehtë”
Për Gërvallën, vota e fshehtë është instrument më demokratik se sa vota e hapur, që bëhet me ngritje dore.
“Unë s’e di për çfarë pazari e keni fjalën, unë e di që vota e fshehtë është instrumenti më efikas dhe më i shenjtë i demokracisë. S’ka asgjë më demokratike se sa vota e fshehtë, se detyrojmë asnjë deputet të votojë për kandidaten tonë, por e kemi detyrë t’i ofrojmë secilit deputet të shprehë mendimin e tij.
Nuk ka asgjë më demokratike se vota e fshehtë, është e kundërta e pazareve”.
“Hajvan, veç njëri”
Anise shefi i saj Albin Kurti e quajti gjithë opozitën “hajvanë”, deklaratë kjo që arriti edhe në mediat ndërkombëtare, Gërvalla u arsyetua se kjo shprehje u përdor vetëm për njërin nga liderët opozitarë.
“Askush nuk i ka quajtur deputetët hajvan. Ju e dini fort mirë që është quajtur një person i cili ka bërë premtime, të cilat e tejkalonin jo vetëm shumën e buxhetit të shtetit, por e tejkalonin edhe shumën e gjithë GDP-së së Republikës së Kosovës. Në atë kontekst është përdoru ajo fjalë”.