Shtëpia e Milan Andrejoviq në Graçanicë kishte mysafirë të paftuar natën e së premtes. Rreth orës 22:00 dikush i panjohur deri më tashti erdhi këtu për të vjedhur derisa familjarët nuk ishin në shtëpi.
“Me anë të mjeteve të forta e kanë hapur këtë derë derisa unë me familje kam qenë mysafirë për kafe te disa familjar të mi dhe pastaj kanë hyrë brenda’, shpjegon ai.
Pasi kishin hyrë brenda hajnat kishin rënë në gjurmë të gjërave me vlerë të madhe,
“Kanë hallakatur dhe kanë marrë para në vlerën e 15 mijë eurove dhe ari në vlerën e 2 mijë eurove”, theksoi ai.
Që gjatë krimit të mos i pengonte askush Andrejoviq dyshon se hajnat ia helmuan edhe qenin që e mban në oborr.
Për këtë rast është informuar edhe policia.
Zëdhënësja e këtij institucioni në Prishtinë Flora Ahmeti i tha Klan Kosovës se rasti është duke u trajtuar si vjedhje e rëndë kurse me të është duke u marrë njësiti i stacionit të Graçanicës.