Hajduku erdhi si gjigant, por iku si një emër i thjeshtë në listën e “viktimave” të Ilir Dajës

Në një mbrëmje magjike në “Air Albania”, Dinamo City e Ilir Dajës ka shkruar një nga faqet më të arta të futbollit shqiptar në arenën europiane. Pas humbjes 2-1 në Split, shumëkush mendonte se Hajduku i madh kroat do të kalonte lehtësisht në “play off”. Gjithsesi, Ilir Daja, trajneri që mund ta quajmë pa frikë pasuri kombëtare dhe më i miri shqiptar i kohërave në këtë profesion, tregoi se futbolli nuk luhet me emra, por me zemër, disiplinë dhe inteligjencë.

Dinamo City përmbysi gjithçka me një fitore të jashtëzakonshme 3-1, përballë një “deti” prej rreth 3000 tifozësh kroatë, tejet të zhurmshëm mu në zemër të Tiranës (pra, faktori fushë thuajse nuk ndihej për kroatët), ndërsa vetëm rreth 500-700 zemra blu brohorisnin për ekipin vendas. Diferenca e forcave në fushë, të paktën në letër, ishte kolosale: vlera e formacionit startues të Dinamos, vetëm 3.5 milionë euro; përkundrejt 16.9 milionë eurove sa vlente 11-shja e fillimit të Hajdukut. Megjithatë, në fushë, këto shifra nuk vlejnë pa karakterin sportiv.

Me lojë të pjekur, efikasitet përpara portës dhe vendosmëri në çdo duel, Dinamo “ia preu krahët” Hajdukut. Nga një emër i frikshëm në Kroaci, Hajduku u bë i vogël në Tiranë, i pafuqishëm përballë një skuadre që kishte besim të verbër te trajneri i saj dhe te vetja. Ky kualifikim nuk është thjesht një hap më tej drejt grupeve të “Conference League”, por sinjal për gjithë futbollin shqiptar se me punë, organizim dhe guxim mund të mposhtësh çdo kundërshtar në futbollin e sotëm modern, sado i madh të duket ai në letër.

Duke iu referuar disa statistikave, për cilindo Hajduku konsiderohej favorit absolut:

4 fitore në 5 ndeshjet e fundit, pa asnjë humbje.

13 ndeshje radhazi pa “portë të pastër”, dobësi në mbrojtje që Dinamo e shfrytëzoi në maksimum.

Shumica e ndeshjeve të Hajdukut kishin mbi 2.5 gola (6 nga 8) dhe shpesh në to shënonin të dyja skuadrat (7 nga 8).

Hajduku shënonte i pari në 8 nga 10 ndeshjet e fundit.

Ilir Daja, duke lexuar këto të dhëna, u fut në ndeshje me një strategji të qartë: të shfrytëzonte hapësirat, të godiste në momentet e dobësisë dhe të mbronte me bllok kompakt, kur ishte e nevojshme. Rezultati total? Një përmbysje historike, që jo vetëm i dha Tiranës një mbrëmje europiane për t’u mbajtur mend, por gjithë shqiptarisë një leksion krenarie.

Hajduku erdhi si gjigant, por iku si një emër i thjeshtë në listën e “viktimave” të Ilir Dajës. Ky i fundit dha leksion profesionalizmi të lartë për këdo, me siguri edhe për Sylvinho, trajnerin e kombëtares, që përcolli “live” gjithçka.

 

The post Hajduku erdhi si gjigant, por iku si një emër i thjeshtë në listën e “viktimave” të Ilir Dajës appeared first on Telesport.