Nga një “Qeveri në Detyrë” që e kishte humbur legjitimitetin substancial për të marrë vendime madhore që nga koha kur ish-ministrat e atij ekzekutivi u zgjodhën deputetë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, deputetja e legjislaturës tashmë të shpërndarë, Rozeta Hajdari, ka njoftoi për marrjen e një vendimi që përbën shkelje të Kushtetuës dhe ligjeve në fuqi. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të reja të 28 dhjetorit, ajo ka nënshkruar një vendim administrativ për caktimin e çmimit tavan të naftës.
Vendimi bie në kundërshtim flagrant me Aktgjykimin e fundit të Gjykatës Supreme, i cili ia ndalon rreptësisht qeverisë në largim marrjen e vendimeve të tilla , duke krijuar kështu një situatë absurde kur tashmë ka një legjilaturë të re të shpërndarë pas qeverisë Kurti II, legjislaturë në të cilën Hajdari ushtronte pozitën e depuetes.
Ndërkohë që Kosova gjenet në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe Kuvendi tashmë është shpërndarë me vedim të Presidentes Osmani, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar sot rregullimin e tregut të naftës. Përmes këtij akti, ajo ka caktuar marzhën tregtare maksimale prej 2 eurocentë për shitjen me shumicë dhe 12 eurocentë për shitjen me pakicë.
“Sot, nënshkrova vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe konkurrencës së drejtë në tregun vendor.
Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien.” – shkroi Hajdari ndër të tjera.
Vetëm pak muaj më parë, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi një standard të qartë juridik duke rrëzuar dhe shpallur të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 të Ministrit Hekuran Murati. Në Aktgjykimin P.A.nr.09/2025, Gjykata Supreme konstatoi se një qeveri në dorëheqje (apo në detyrë pas shpërndarjes së Kuvendit) nuk ka mandat për të nxjerrë akte normative të reja që prekin politika të gjera ekonomike.
Në arsyetimin e saj për rrëzimin e vendimit të Ministrit Murati, Gjykata theksoi ndër të tjera: “Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor… duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”.
Sipas Gjykatës, neni 31 i Ligjit për Qeverinë kufizon në mënyrë taksative kompetencat e qeverisë në dorëheqje. Në rastin e vendimit të Hajdarit, caktimi i marzhave të fitimit nuk është një “aktivitet i domosdoshëm ditor” për mirëmbajtjen e shtetit, por një ndërhyrje politike dhe ekonomike, për të cilën një qeveri kujdestare nuk ka mandat.
Nëse rasti i Hekuran Muratit u cilësua i paligjshëm dhe antikushtetues sepse ai ushtronte detyrën e ministrit ndërkohë që ishte certifikuar si deputet (duke shkaktuar papajtueshmëri funksionesh sipas neneve 70 dhe 71 të Kushtetutës), rasti i Rozeta Hajdarit paraqet një shpërfillje edhe më brutale të rendit juridik për dy arsye:
Ndryshe nga Murati, i cili e mori vendimin para se të kishte një vendim gjyqësor specifik për këtë situatë, Hajdari ka marrë vendim pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.
Gjithashtu, me shpërbërjen e legjislaturës më 9 shkurt nga Presidentja dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, nuk ka bazë që një ish-ministre e zgjedhur në legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e viti vitit 2021 të marrë vendime.











