Hailey Bieber ka tërhequr vëmendjen në New York , teksa u shfaq në një dalje solo me një fustan saten të gjelbër dhe unazën e martesës rikthyer në gisht – vetëm një ditë pasi u fotografua pa të, duke nxitur thashetheme për tensione në martesën e saj me Justin Bieber.
Modelja 28-vjeçare u shfaq elegante dhe e qetë, ndërsa shijonte një mbrëmje në qytet, duke kompletuar pamjen me syze dielli dhe një palë taka “kitten”.
Dalja e saj publike vjen në një kohë kur fansat janë të shqetësuar për marrëdhënien e saj me Justin, pas raportimeve për një përplasje të fortë gjatë Ditës së Babait, ku ajo thuhet ta ketë quajtur bashkëshortin e saj një “fëmijë të mallkuar”, shkruan DailyMail.
Ndërkohë, Justin zgjodhi të mos bëjë asnjë postim dedikuar bashkëshortes apo djalit të tyre nëntëmuajsh, Jack, duke ndarë në vend të kësaj mesazhe enigmatike dhe emocionale në rrjetet sociale, përfshirë ndjesinë e “thyer” dhe përpjekjet për të përballuar zemërimin dhe vetëvlerësimin.
Burime pranë çiftit raportojnë se Hailey ka qenë e irrituar nga veprimet e Justinit dhe se i ka kërkuar atij të kërkojë ndihmë profesionale.
Megjithatë, rikthimi i unazës në dorën e saj sugjeron një përpjekje për stabilitet, ose së paku një qëndrim publik që ndjenjat janë ende të forta – të paktën për kamerat.