Guerot për propagandën e VV-së në Ujman: KFOR-i meriton respektin e të gjithëve

Dërgimi i forcave të FSK-së bë veri, gjegjësisht në liqenin e Ujmanit për të ndihmuar në gjetjen e personit të zhdukur më 27 korrik atje, u bë temë diskutimi, jo vetëm nga aktorët vendorë, por edhe nga ata ndërkombëtarë me shërbim në Kosovë.

Pasi ambasada gjermane reagoi mbi politizimin e kësaj çështje, e madje edhe për propagandën që u bë me fotot e FSK-së në veri nga zyrtarë shtetërorë e aktivistë të partisë në pushtet, duke mos paraqitur edhe pjesëtarët e KFOR-it, edhe Franca doli me një reagim.

Ambasadori i Parisit në vendin tonë, Olivier Guerot, tha se KFOR-i meriton respektin e të gjithëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

“Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon”, tha Guerot, teksa potencoi se “Franca do të vazhdojë t’i ofrojë misionit gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”.