Guerot: Na duhet një qeveri me të cilën do të mund të punonim për shumë gjëra

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri me kompetenca të plota pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Tri ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai ka thënë se ndërkombëtarëve iu duhet një partner në Kosovë për të punuar për Planin e Rritjes së BE-së, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zhvillimin e Kosovës.

“Mesazhi është se na duhet një partner. Ne së bashku jemi mbështetësit tuaj të huaj, miqtë tuaj të huaj. Na duhet një qeveri, një qeveri e plotë, me të cilën do të mund të punonim për Planin e Rritjes, natyrisht, por edhe për shumë çështje të tjera, qoftë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe për zhvillimin e Kosovës, legjislacionin e Kosovës”, theksoi ai për Kosovapress.

Duke folur për krizën politike dhe mosformimin e institucioneve, Guerot ka shtuar se një vit pa një qeveri me mandat të plotë ka qenë i vështirë për Kosovën.

“Ky vit pa një qeveri të plotë ka qenë pak i vështirë, duhet ta them. Jo se nuk kemi qenë në gjendje të punonim, siç thashë, në projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ne kemi mundur të punojmë në nivel teknik. Kishte edhe iniciativa të tjera që mund t’i bënim në nivel teknik, por Kosova është një demokraci. Si demokraci, është nevoja për një qeveri të përgjegjshme para parlamentit”, theksoi ai.

Bashkimi Evropian ditë më parë vendosi të heqë 50 për qind të masave, derisa u zotua për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit janar 2026.

Ky zhvillim, sipas ambasadorit Guerot, është lajm i mirë për Kosovën, pasi do të ecin përpara shumë projekte të rëndësishme për vendin, të cilat ishin bllokuar vitet e fundit. Sa i përket zotimit se deri në janar të vitit 2026 do të hiqen masat, ambasadori francez ka thënë se vendimi politik tashmë është marrë nga Këshilli Evropian dhe se tani i takon Komisionit Evropian ta zbatojë.

“Detajet nuk i di. Nuk mund t’jua tregoj. Vendimi politik është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe nga Këshilli Evropian dhe tani Komisioni do ta zbatojë atë. Prandaj nuk mund të hyj në detaje”, tha Guerot.