Gucati: Nga Tirana, mbrojmë luftën e shenjtë të UÇK-së

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, fjalën e tij në protestën gjithëkombëtare në Tiranë, në mbështetje për çlirimtarët e Kosovës, e nisi me brohoritje të katërshes të UÇK-së, që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Gucati thotë se përmes kësaj proteste, populli ka ngritur zërin për drejtësi, transmeton Klankosova.tv.

“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi. Jemi këtu që të mbrojmë luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të mbrojmë gjakun e derdhur për liri, që të mbrojmë nderin e çlirimtarëve tanë”.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ka qenë ushtri çlirimtare, këtë e ka dëshmuar historia, e kanë dëshmuar varret e dëshmorëve të kombit”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Gucati tha se nuk do ta lejojnë asnjëherë që emri i UÇK-së dhe komandantëve të saj të përdhoset.