Gucati: “Disa familje të Reçakut më telefonuan sot, më thanë se Besim Kelmendi ka marrë pjesë në procesin e Reçakut”

Hysni Gucati ka reaguar menjëherë pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Gucati, në një deklaratë për emisionin “Kosova Live”, tha se ky vendim është i vonuar, sidomos pas dyshimeve të rënda që janë ngritur ndaj Kelmendit për bashkëpunim me gjyqtaren serbe Danica Marinkoviq njeriun që tentoi të fshehë masakrën e Reçakut në vitin 1999.

Ai po ashtu tha se sot është kontaktuar nga disa familje të Reçakut, të cilat i kanë pohuar se Kelmendi kishte marrë pjesë në proceset e asaj kohe që lidhen me rastin e Reçakut.

“Disa familje të Reçakut më telefonuan sot. Më thanë se Besim Kelmendi ka marrë pjesë në procesin e Reçakut. Ky është një alarm serioz dhe duhet hetuar deri në fund,” deklaroi Gucati për Kosova Live.

Sipas tij, vendimi i KPK-së duhet të shoqërohet me hetime të plota dhe transparente nga Prokuroria Speciale, meqë bëhet fjalë për një çështje jashtëzakonisht të ndjeshme historike dhe institucionale.