Nëpër disa media është raportuar se sot pasdite kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka udhëtuar për në Hagë ku do të merret në pyetje si i dyshuar.
Ndërkaq, përmes Klankosova.tv, Kryeparlamentari Kadri Veseli ka demantuar mediat në Kosovë se ka marrë ftesë nga specialja në Hagë për t’u intervistuar.
“Ky është vetëm një margaritar i Beratit, nuk është mirë ta shqetësojmë opinionin kështu” tha Kadri Veseli për Klan Kosova nëpërmjet telefonit.
Kryeparlamentari Veseli, duke treguar se sa krenar është për UÇK-në, ka thënë se do të tregonte po të ftohej nga Specialja.
“Me çfarë morali do të nisesha diku nëse nuk do ta bëjë njoftimin publik. Kush në botë nuk më frikëson. Vetëm kombi im mund të më gjunjëzoj, të më mbajë dhe të më përkrahë”, ka thënë Veseli.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati. Ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka deklaruar se “habitem me këta persona, që si duket po iu gëzohen ftesave të çlirimtarëve për gjykata, pasi që të njëjtit përhapin lajme të tilla, jo të vërteta, siç ndodhi sot me njërin ndër themeluesit e parë të UÇK-së, tani me Kryeparlamentarin e Kosovës Kadri Veselin.
Sipas Gucatit, dezinformata të tilla përhapen shumë shpejt, duke mos qenë aspak në të mirë të Kosovës, dhe me lajme të tilla të vetmit që do gëzoheshin janë serbët.
“Ne të gjithë e dimë që nuk kemi arsye për frikë nga gjykata të tilla, pasi qē ne besojmë në luftën tonë të pastër dhe ne do të jemi në përkrahje të së vërtetës gjithmonë, ka deklaruar Gucati.