Para disa javësh, Pep Guardiola zgjodhi një event bamirësie në Barcelonë për të folur hapur mbi situatën në Palestinë, duke marrë pjesë në koncertin “Act x Palestine”, në “Palau Sant Jordi”. Trajneri i Manchester City u paraqit me një kefije mbi supe, duke e kthyer praninë e tij në gjest me vlerë të fortë simbolike.
Në fjalimin e tij iu referua pamjeve që qarkullojnë prej muajsh në media: “Kur shoh një fëmijë mes rrënojave që pyet ‘ku është mamaja ime’, mendoj gjithmonë çfarë po kalon ai. Kam ndjesinë se i kemi lënë vetëm, të braktisur”. Më pas kritikoi drejtuesit politikë: “Të fuqishmit janë frikacakë, sepse dërgojnë të pafajshëm të vrasin të pafajshëm, ndërsa vetë qëndrojnë të sigurt… Këtu flitet për njerëzimin, jo për politikën”.
Angazhimi i tij nuk mbeti vetëm në deklarata. Së fundi, Guardiola firmosi fanellat e kombëtares palestineze të amputuarve, Al Irada e Gazës, një gjest solidariteti që vazhdon linjën e tij të qëndrimeve kundër luftërave dhe padrejtësive në botë.
The post Guardiola, tjetër gjest pro Palestinës. “Bekon” kombëtaren palestineze të të amputuarve në Gaza appeared first on Telesport.










