Karriera e Pep Guardiolës si trajner do të ndalet pas përfundimit të eksperiencës me Manchester City. Pra, asnjë pankinë e re në horizont për njërin nga trajnerët më të suksesshëm të viteve të fundit. Njoftimin zyrtar e ka bërë vetë Guardiola në një intervistë për “GQ Hype”.
“E di që pas kësaj periudhe me City do të ndalem, kjo është e sigurt, është e vendosur, më shumë se e vendosur”, – ka deklaruar Pep Guardiola për “GQ Hype”.
Trajneri katalanas më pas ka sqaruar: “Nuk e di pas sa kohësh, një vit, dy, pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë; por kam nevojë të përqendrohem te vetja ime, te trupi im…”
Pep Guardiola e ka rinovuar së fundi kontratën me Manchester City deri më 30 qershor 2027. Ai e drejton skuadrën angleze që nga viti 2016, duke fituar thuajse gjithçka, përfshirë 6 Premier League dhe një Champions League.
Sezoni i fundit ka qenë padyshim më i vështiri për Guardiolën si trajner. Manchester City u kualifikua me vështirësi për edicionin e ardhshëm të Champions League përmes kampionatit, ndërsa në Kupën e Botës për Klube u eliminua në mënyrë befasuese që në 1/8 finale ndaj Al-Hilal.
“Kur fiton 6 Premier League, vjen një moment kur rrëzohesh. Është njerëzore. Ndoshta duhej të kishim ndryshuar më shumë lojtarë, por është shumë e lehtë ta thuash këtë pas…”, – pranoi Guardiola.
Karriera e Pep Guardiolës si trajner nisi me Barcelonën B. Më pas drejtoi ekipin e parë të Barcelonës për 4 sezone, duke fituar gjithçka: 3 herë La Liga, 2 Champions League dhe Kupën e Botës për Klube.
Guardiola ka qenë gjithashtu trajner i Bayern Munich, me të cilin fitoi 3 tituj radhazi në Bundesliga, por jo Champions League. Trofeu i Champions-it erdhi më në fund me Manchester City, duke mposhtur në finale Interin në vitin 2023.
The post Guardiola e lidh fundin e karrierës si trajner me Manchester City: Kjo është mëse e sigurt appeared first on Telesport.