Komisionerja Kos dhe ministrja Bjerre vlerësuan reformat shqiptare, ndërsa kryeministri Rama e quajti rrugëtimin ‘rekord historik’.
Shqipëria po shënon hapa historikë në rrugën drejt integrimit evropian.
Në konferencën e përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministren daneze të Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre, u nënvizua se vendit i ka mbetur vetëm një grupkapitull i fundit për t’u hapur.
Zyrtarët e lartë evropianë vlerësuan ritmin e shpejtë të negociatave dhe reformat e ndërmarra, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë proces si “një rekord” dhe një “martesë e lirë” me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria po ecën në një rrugë pa kthim drejt familjes evropiane.
Nga ana e saj, Kos ka theksuar se mes Shqipërisë dhe Unionit ka mbetur vetëm një grupkapitull i fundit për t’u hapur, i cili pritet të ndodhë së shpejti.
“Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse, ende nuk kam bërë një vit në detyrë dhe kjo është hera e katërt që ne çelim një grupkapitull negociatash me Shqipërinë gjatë mandatit tim. Pesë grup-kapituj të hapur dhe 28 kapituj të çelur, ka mbetur vetëm një grupkapitull dhe nuk kam aspak padyshim që do ta bëjmë këtë gjë së shpejti”, garantoi zyrtarja e lartë evropiane.
Sipas saj, presidenca daneze e BE-së dhe vendet anëtare të Unionit janë plotësisht të përkushtuara që të shënojnë progres në momentin që do përmbushen të gjithë kriteret.
Kos shtoi se ky rezultat vjen si rrjedhojë e “punës së madhe të autoriteteve shqiptare” që kanë çuar përpara reformat përgjatë viteve, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar, reforma të cilat nuk janë të lehta. Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur, dhe BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv, ravijëzoi ajo.
Ndërsa, kryeministri Rama njoftoi hapjen e një tjetër grupkapitulli në negociatat me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar si një arritje historike për vendin.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se gjatë 11 muajve të fundit janë hapur pesë grupkapituj, çka sipas tij përbën një rekord.
Ai shprehu shpresën se deri në fund të vitit do të hapet edhe grupkapitulli i fundit.
“Kjo nuk është një shpërblim që merret njëherë e përgjithmonë, por një proces i përditshëm. Sfida ka, por ne e dimë se nuk ka asnjë rrugë tjetër”, deklaroi kryeministri. Rama e krahasoi integrimin me një “martesë të lirë” me Bashkimin Evropian, ndryshe nga e shkuara kur vendi ishte i detyruar të lidhte aleanca pa zgjedhje.
“Kjo është një perandori vlerash dhe të drejtash, sigurie dhe garancish, me të cilën duhet të martohemi. Qytetarët duhet të jenë të sigurt se askush nuk do t’u marrë liritë dhe të drejtat e tyre”, theksoi ai.
Nga ana e saj, ministrja e Çështjeve Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre, vlerësoi reformat e Shqipërisë dhe nënvizoi se vendi ka treguar qartë se e sheh të ardhmen në Evropë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp Bjerre theksoi se megjithëse mbetet ende shumë punë për të bërë, dita e sotme shënon një hap të madh përpara në procesin e integrimit.
“Duhet të ecim përpara me zgjerimin. Konferenca e sotme dëshmoi se reformat sjellin rezultate konkrete. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe në harmonizimin me politikat e BE-së. Ju po jepni rezultate dhe këto duhet të njihen”, u shpreh Bjerre.
Ajo garantoi se Danimarka do të mbështesë vazhdimisht procesin e zgjerimit, ndërsa u bëri thirrje vendeve kandidate të vijojnë me reformat dhe përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit.
“Shqipëri, ju po e bëni këtë. Vazhdoni me punën tuaj”, përfundoi ministrja daneze.