Grupi qytetar “Njerëz të Pastër për një Kosjeriq të Pastër” ka ngritur shqetësime serioze pas pranisë së Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili është i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë.
Sipas mediumit serb Danas, Radoiçiq ka ushtruar presion dhe ka kërcënuar qytetarët e një fshati në Serbi, duke u ndaluar pjesëmarrjen në protestat kundër presidentit Aleksandar Vuçiq.
“Qytetarët tanë nuk mund të jetojnë nën frikë dhe kërcënime. Prania e personave të tillë, të shoqëruar nga autoritete lokale, është e papranueshme,” thuhet në reagimin e grupit qytetar.
Dëshmitarë të ngjarjes raportojnë se Radoiçiq u shoqërua nga trupa sigurie dhe disa zyrtarë lokalë, përfshirë kryetarin e komunës Zarko Dokiq, si dhe këshilltarët Dalibor Vujiq dhe Slobodan Dukiq.
Në deklaratën e tyre publike, grupi kërkoi reagim urgjent nga institucionet shtetërore.
“Prokuroria, policia dhe shërbimet e sigurisë duhet të veprojnë menjëherë për të mbrojtur qytetarët dhe për të parandaluar çdo formë presioni politik,” u theksua në deklaratë.
Megjithatë, përfaqësuesit e grupit thanë se nuk do të tërhiqen nga qëllimi i tyre:
“Nuk kemi frikë. Lufta për një Kosjeriq të lirë, të sigurt dhe të drejtë do të jetë vetëm më e vendosur dhe këmbëngulëse pas kësaj ngjarjeje.”