Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas paraqitjes së James Rubin si dëshmitar në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, Gruda e quajti “madhështore” momentin kur Rubin, 26 vite pas përfundimit të luftës, dëshmoi për legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe padrejtësinë e gjykimit që po mbahet ndaj ish-drejtuesve të saj.
“Sa madhështore të shohësh James Rubin, 26 vite pas përfundimit të luftës, duke dëshmuar në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai erdhi për të dëshmuar jo vetëm faktet, por edhe shpirtin e një lufte të drejtë, për të shkundur themelet e një gjyqi absurd, të ngritur mbi padrejtësi, që përpiqet të errësojë dritën e një epoke të lavdishme.
Dhe sjellja e gjyqtarëve, që për herë të parë u shfaqën të përulur dhe respektues përpara një dëshmitari, në vend të arrogancës së zakonshme, foli më shumë se qindra fjalë: edhe ata e ndjenë peshën e së vërtetës.” – shkroi Gruda.
Ai shtoi se edhe pse Rubin dhe Thaçi janë thinjur nga vitet, ato “thinje” përfaqësojnë kurorë nderi dhe dëshmi të një rruge të vështirë, por të lavdishme që çoi në pavarësinë e Kosovës.
“Sot, pas 26 vitesh, Rubin dhe Hashimi janë thinjur. Thinjet e tyre, ndonëse shenja pleqërie, shndrisin si kurora argjendi mbi kokat e tyre, stoli të lirisë, dëshmi e një udhëtimi të gjatë, të vështirë, por plot krenari. Janë rrudhat e kohës që nuk shëmtojnë, por fisnikërojnë, duke treguar se beteja e UÇK-së nuk ishte thjesht luftë, por themeli i pavarësisë sonë.” – tha Rubin.