Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se janë bërë 15 mbledhje të kuvendit në të cilat ka ndodhur një rutinë dhe që i ka vënë në pozicion jashtëzakonisht të vështirë të gjithë deputetët.
Gruda tha se janë bërë 15 mbledhje prej kur Lëvizja Vetëvendosje insiston në propozimin e vetëm një kandidateje për kryetar të kuvendit, dhe sipas tij, kuvendi është bllokuar për arsye të një emri të përveçëm, Albulena Haxhiut.
“Në këto kushte, kuvendi është bllokuar për arsye të një emri të përvecëm, Albulena Haxhiut. Është një situatë tepër e vështirë për secilin prej nesh, por ne nuk mund të lejojmë që të vendoset diktat mbi votën tonë, pasi vota e deputetëve është e lirë dhe nuk mund të vendoset diktat”.
“Nesër është mbledhja e 16-të me radhë, por nesër ka edhe një takim të presidentes me kryetarët e partive politike, ku ne e kemi mirëpritur sepse duam të vazhdojmë atë përkushtim të cilin e kemi thënë nga fillimi, përkushtimin për t’iu përgjigjur cdo ftese nga cdo lider politik, që ka për qëllim zhbllokimin e situatës së formimit të institucioneve”, tha Gruda në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se duhet sqaruar se nuk bëhet fjalë për konsiderata personale dhe se nuk ka lidhje me personin, por sipas tij, ka lidhje me atë që përfaqëson në politikë Albulena Haxhiu.
“Kam parë tentime që ta lidhin edhe me gjininë, por s’ka lidhje me cilësitë personale të personit, s’ka të bëjë këtu me personin Albulena Haxhiu, por ka të bëjë me politikanen Albulena Haxhiun”.
“Politikania Albulena Haxhiu është e papranueshme për të qenë kryetare e kuvendit. E para, sepse është një figurë që ngrit përçarje në skenën politike, vazhdimisht. Albulena Haxhiu është një nga personat që ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës”, tha Gruda.
Gruda më tej u shpreh se politika kosovare është në një situatë ku duhet të zgjedhë mes Albulena Haxhiut dhe institucioneve dhe shtetit të Kosovës.