Gruaja kërkoi ndihmë financiare, Materazzi thyen heshtjen për sëmundjen që e dërgoi në karrocë invalidi

Matteo Materazzi, menaxher futbolli dhe vëllai i ish-kampionit të botës Marco Materazzi, ka thyer heshtjen dhe ka konfirmuar publikisht përmes rrjeteve sociale se po lufton me SLA (sklerozë laterale amiotrofike), një sëmundje progresive dhe e rëndë. Deklarata vjen një ditë pas apelit prekës të gruas së tij, Maura.

“Është një moment shumë i vështirë për mua, por pikërisht në kësi momentesh duhet të mendosh me kthjelltësi dhe të veprosh me maturi”, – shkroi ai në Instagram.

Materazzi shpjegon se fushata e mbledhjes së fondeve, e nisur nga bashkëshortja e tij, nuk ka për qëllim vetëm të shpëtojë jetën e tij: “Askush nuk mund të dijë nëse trajtimi që po provohet do të jetë zgjidhja përfundimtare.

Kjo nismë ka lindur sepse tani e kuptojmë më shumë se kurrë sa i rëndësishëm është kërkimi shkencor për SLA dhe sa më shumë mund të jetë në të ardhmen, nëse të gjithë japim një ndihmë konkrete.

Një terapi për SLA mund të ekzistojë, por ende nuk është zbuluar. Duhet ta nxitim këtë garë kundër kohës dhe ndihma e të gjithëve është thelbësore, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që përballen me këtë ‘përbindësh’”.

 

Dje u publikua apeli emocional i gruas së tij: “Jam Maura, bashkëshortja e Matteo-s, një baba i mrekullueshëm i dy djemve 16 dhe 19 vjeç. Matteo është 49 vjeç dhe në shtator 2024 iu diagnostikua një mutacion i rrallë i SLA”.

Maura përshkruan përparimin e shpejtë të sëmundjes: Matteo tashmë ndodhet në karrocë, ka humbur lëvizshmërinë e këmbëve dhe të krahëve, së fundi sëmundja i ka prekur edhe aparatin e frymëmarrjes.

Familja ka kontaktuar me Universitetin Columbia në Nju Jork dhe me dr.Shneider, “pionier” në terapinë me ASO (oligonukleotide antisens). Sidoqoftë, për të zhvilluar një trajtim të personalizuar për mutacionin e Matteo-s dhe të tjerëve, që vuajnë nga i njëjti variant, nevojiten 1.5 milionë dollarë, shumë që familja nuk ka mundësi ta përballojë.

“Vetëm me ndihmën tuaj mund të shpresojmë ta arrijmë këtë shifër dhe ndoshta të shpëtojmë jo vetëm jetën e Matteo-s, por edhe të të gjithë atyre që vuajnë si ai. Edhe shuma më e vogël ka rëndësi, sepse pika-pika bëhet det… Faleminderit të gjithëve që do të na mbështesin në këtë luftë për jetën”.

Në momentin e publikimit të sëmundjes, janë mbledhur mbi 21.000 euro nga bota e futbollit dhe më gjerë.

The post Gruaja kërkoi ndihmë financiare, Materazzi thyen heshtjen për sëmundjen që e dërgoi në karrocë invalidi appeared first on Telesport.