Greva dhe protesta në gjithë Francën kundër shkurtimeve buxhetore, qindra të arrestuar

Qindra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e qyteteve të ndryshme të Francës këtë të enjte, pasi sindikatat organizuan një ditë grevash për të ushtruar presion mbi kryeministrin e ri, Sébastien Lecornu, që të rishqyrtojë shkurtimet e planifikuara buxhetore dhe të veprojë mbi pagat, pensionet dhe shërbimet publike.

“The Guardian” shkruan se transporti publik u paralizua pjesërisht, ndërsa drejtues trenash, autobusësh dhe tramvajesh dolën në grevë. Punonjës të spitaleve iu bashkuan protestave, dhe 90% e farmacive ishin të mbyllura për shkak të pakënaqësive ndaj politikave të çmimeve.

Greva përfshiu edhe arsimin, me rreth një në gjashtë mësues të shkollave fillore dhe të mesme që bojkotuan mësimin. Stafi i mensave dhe mbikëqyrësit shkollorë gjithashtu u përfshinë në grevë. Nxënësit bllokuan hyrjet e disa gjimnazeve në Paris, Amiens dhe Le Havre.

Në total, më shumë se 250 protesta u mbajtën në qytete si Parisi, Marseille, Nantes, Lyon dhe Montpellier.

Sophie Binet, udhëheqësja e sindikatës së majtë CGT, deklaroi se “Zemërimi është i madh, dhe po ashtu edhe vendosmëria. Mesazhi im për zotin Lecornu është ky: buxheti duhet të vendoset nga rruga.”

Protestat vijnë në një moment krize politike në Francë. Vetëm pak ditë më parë, Emmanuel Macron emëroi Sébastien Lecornu si kryeministër të ri, i treti brenda një viti, pasi dy paraardhësit e tij, François Bayrou dhe Michel Barnier, u rrëzuan nga parlamenti për shkak të mosmarrëveshjeve të forta mbi masat shtrënguese.

Lecornu është përpjekur të qetësojë situatën duke premtuar se do të tërheqë propozimin e papëlqyer të Bayrou-t për të hequr dy ditë pushimi zyrtar. Megjithatë, sindikatat janë të shqetësuara se shkurtime të tjera, si ngrirja e përfitimeve sociale, mund të mbeten në fuqi.

Ai ka vetëm pak javë kohë për të paraqitur një buxhet të ri dhe për të formuar një qeveri të re minoritare, ndërkohë që çdo propozim mund të rrëzohet menjëherë nga partitë opozitare, duke shkaktuar një tjetër votë mosbesimi.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, midis 600 mijë dhe 900 mijë persona morën pjesë në protestat e ditës. Deri në mesditë, 140 persona ishin arrestuar në të gjithë vendin. Incidentet më të theksuara ndodhën në Nantes dhe Lyon, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe tre persona u plagosën.

Edhe pse protestat janë një test i hershëm për kryeministrin Lecornu, shumica e thirrjeve dhe pankartave në rrugë ishin të drejtuara ndaj presidentit Macron, i cili ndodhet në nivelin më të ulët të popullaritetit që nga marrja e detyrës në vitin 2017. Ai ka ende 18 muaj në pushtet.