Plani i përfolur përfshin trupa tokësore, mbështetje ajrore dhe detare.
Zyrtarë të lartë ushtarakë nga Greqia, Izraeli dhe Qiproja po shqyrtojnë në mënyrë eksploruese krijimin e një force të përbashkët reagimi të shpejtë në Mesdheun Lindor, raportojnë media greke.
Sipas gazetës Ta Nea, diskutimet janë zhvilluar në mesin e dhjetorit dhe përshkruhen si bisedime paraprake, jo si vendime politike apo angazhime formale nga qeveritë respektive.
Megjithatë, ato përkojnë me një intensifikim të konsultimeve trepalëshe ushtarake dhe politike mes tre vendeve.
Raportimet flasin për një koncept force në nivel brigade, me rreth 2 mijë e 500 trupa, ku afërsisht 1 mijë do të vinin nga Greqia, 1 mijë nga Izraeli dhe rreth 500 nga Qiproja. Njësia do të ishte e konceptuar si forcë fleksibël dhe e dislokueshme shpejt, pa një bazë të përhershme si formacion i vetëm.
Sipas burimeve të cituara nga mediat greke, struktura do të ishte e aftë të operonte në tokë, ajër dhe det, për t’iu përgjigjur krizave të mundshme në rajon.
Përveç forcave tokësore, koncepti përfshin edhe mbështetje ajrore dhe detare.
Greqia dhe Izraeli do të kontribuonin secili me nga një skuadron ajror për mbulim, vëzhgim dhe goditje, ndërsa komponenti detar do të përfshinte anije luftarake greke dhe nëndetëse, si dhe korveta të klasit Sa’ar 6 dhe nëndetëse izraelite.
Si pika të mundshme operimi përmenden ishujt grekë Rodos dhe Karpathos, territori i Qipros dhe bazat ushtarake në Izrael, duke ofruar mbulim të gjerë të hapësirës detare të Mesdheut Lindor.












