Greqia forcon ushtrinë, merr 16 raketa kundër anijeve në Francë

Greqia ka nënshkruar një marrëveshje të re të mbrojtjes me Francën të hënën për të blerë 16 raketa anti-anije Exocet, e fundit në një seri blerjesh armësh që synojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias nënshkroi marrëveshjen në Athinë të hënën së bashku me homologun e tij francez, Sébastien Lecornu, gjatë vizitës së tij zyrtare në kryeqytetin grek, shkruajnë mediat e huaja.

Ndërsa ministrat nuk zbuluan vlerën e kontratës, ajo shënon një vazhdimësi të lidhjeve në rritje të mbrojtjes së Greqisë me Francën.

“Greqia nuk kërcënon, por është e kërcënuar”, tha Dendias në një deklaratë të përbashkët për shtypin, duke iu referuar marrëdhënieve të tensionuara të Greqisë me Turqinë, me të cilën ka mosmarrëveshje të gjata mbi kufijtë territorialë në Detin Egje dhe Mesdheun lindor.

Dy aleatët e NATO-s i janë afruar disa herë konfliktit ushtarak gjatë dekadave të fundit.  Dhe blerja e raketave i shtohet programit më të gjerë të modernizimit të Greqisë, i cili filloi pas viteve të shkurtimeve të shpenzimeve të mbrojtjes gjatë krizës financiare 2010–2018.

Athina planifikon të investojë 25 miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme për të modernizuar forcat e saj të armatosura dhe për t’u përshtatur me “format e reja të luftës së teknologjisë së lartë”.