Grenell në qendër të polemikave, përplasje me Rubio-n

Në administratën e Presidentit Donald Trump është shfaqur një përplasje e hapur mes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, dhe të dërguarit të posaçëm për misione speciale, Richard Grenell, lidhur me një përpjekje të dështuar për lirimin e amerikanëve të ndaluar padrejtësisht në Venezuelë.

Sipas një raportimi të The New York Times, dështimi ka ardhur për shkak se Grenell dhe Rubio po negocionin marrëveshje të ndara, duke shkaktuar konfuzion dhe rrezikim të interesave të SHBA-së.

Grenell raportohet se ka ofruar një marrëveshje që përfshinte zgjatjen e licencës për kompaninë amerikane Chevron që të eksportojë naftë nga Venezuela, një opsion politik që Rubio e ka refuzuar në të kaluarën. Kjo ka nxitur kritika të ashpra brenda Departamentit të Shtetit dhe nga ligjvënës amerikanë, të cilët thonë se “freelancimi” i Grenell-it po dëmton diplomacinë amerikane dhe po krijon përçarje në vendimmarrjen ndërkombëtare të administratës Trump.

“Tregon se një pjesë e administratës nuk e di çfarë po bën tjetra, dhe kjo mund t’i vë në rrezik amerikanët”, tha senatori demokrat Chris Van Hollen për The Hill. Ai, së bashku me 20 senatorë të tjerë nga të dyja partitë, kishte kërkuar muajin e kaluar nga Rubio të vazhdonte përpjekjet për lirimin e të paktën tetë amerikanëve që mbahen të burgosur në Venezuelë.

Edhe pse Grenell ka ndihmuar në kthimin e shtatë qytetarëve amerikanë nga Venezuela, lëvizjet e tij jashtë koordinimit me Departamentin e Shtetit kanë shkaktuar përplasje të forta politike. Rubio, në muajin maj, ishte detyruar të distancohej publikisht nga propozimi i Grenell-it për licencën e Chevron-it, duke theksuar se SHBA nuk do të normalizojë marrëdhëniet me regjimin e Nicolás Maduro-s.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mohoi se ka ndarje brenda administratës. “Presidenti ka një ekip të vetëm dhe ai është vendimmarrësi përfundimtar”, tha ajo për The Hill.

Megjithatë, figura të rëndësishme të politikës së jashtme e kritikuan hapur rolin e Grenell-it. Elliott Abrams, ish-i dërguar për Iranin dhe Venezuelën në mandatin e parë të Trump-it, deklaroi: “Duhet ta lëmë politikën e jashtme në duart e Departamentit të Shtetit, në këtë rast Rubio-s dhe zëvendësit të tij Chris Landau. Grenell duhet të largohet”.

Një burim pranë administratës Trump e përshkroi Grenell-in si “një top pa kontroll”, duke shtuar: “Ai është përfshirë në miliona gjëra. Presidenti e pëlqen, dhe kjo i jep atij fuqi, por pa asnjë balancë”.

Ndryshe nga emërimet e tjera që kërkojnë konfirmim nga Senati, pozita e Grenell-it si i dërguar special nuk ka kaluar nëpër filtrin e ligjvënësve. Sipas raportimeve, një konfirmim formal do ta detyronte të përgjigjej për marrëdhëniet e mëhershme me klientë të huaj si Hungaria, Irani, Kongo dhe Kenia.

Senatori republikan James Risch, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, tha për The Hill se Grenell po bën një punë të mirë dhe se ka “një rol unik me një liri të veçantë në këtë funksion”.

Por përplasjet me Rubio-n nuk kanë kaluar pa pasoja politike. Analisti konservator Michael Rubin tha se Rubio duhet të ushtrojë më shumë autoritet për të frenuar Grenell-in. “Të gjithë administratat përballen me konflikte të brendshme, por në këtë administratë problemi përkeqësohet nga mënyra se si presidenti Trump e udhëheq – përmes postimeve në rrjete sociale”, theksoi Rubin.

Ndërkohë, kritikët paralajmërojnë se çdo përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet me regjimin e Maduro-s rrezikon sigurinë kombëtare të SHBA-së. Senatori Rick Scott e kishte lavdëruar më herët vendimin për të ndërprerë licencën e Chevron-it, duke thënë se “nuk ka skenar ku SHBA duhet të bëjë biznes me banditë si Maduro”.

Ish-nënkryetari i parlamentit të Venezuelës, Freddy Guevara, shtoi se Maduro mbështetet në aleatë si Kina, Irani dhe Rusia. “Ata që mendojnë se po bëjnë realpolitik janë thjesht naivë”, tha ai.

Për momentin, Rubio duket se ka më shumë ndikim tek Trump sesa Grenell. “Ai përfaqëson saktësisht atë që presidenti kërkon; i mençur, i artikuluar, dhe përsërit ato që Trump do të dëgjojë”, tha një burim nga Shtëpia e Bardhë.

Por me tensionet që vetëm po rriten, është e paqartë se sa gjatë do të mund të bashkëjetojnë këto dy linja të diplomacisë paralele në një administratë kaq të polarizuar.

The post Grenell në qendër të polemikave, përplasje me Rubio-n appeared first on Kosovapost.net.