Grenell: Kur mbani dikë aq gjatë në burg me akuza të çmendura politike, nuk është drejtësi

Richard Grenell, i emëruari i Presidentit Donald Trump për Misione Speciale, e konsideroi inkurajuese protestën e së enjtes kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale. “Po i kam parë, është inkurajuese”, deklaroi Grenell, gjatë një interviste për Klan Kosova.

Grenell u shpreh se Gjykata Speciale po i mban ish-krerët e UÇK-së në paraburgim për më shumë se pesë vjet, gjë që, sipas tij, përbën një njollë për Evropën dhe ka prapavijë politike.

“Është një njollë për evropianët që dikush të mbahet kaq gjatë – më shumë se 5 vjet. Ky nuk është një sistem i drejtë i drejtësisë. Kur mbani dikë për kohë kaq të gjatë në burg me akuza të çmendura politike, unë mendoj se kjo është më shumë koment për ndjekjet politike penale që evropianët po i bëjnë, po e ndjekin se çfarë ka bërë e majta amerikane ndaj Trumpit, e dimë që është i njëjti person, Jack Smithi, i besuari i Joe Biden.

Dhe pasi ia ka bërë këtë Hashim Thaçit, Joe Bideni e ka marrë për t’ia marrë të njëjtën Donald Trumpit. Pra, është i njëjti grup i njerëzve që kanë ndërmarrë ndjekje politike gjithandej Evropës dhe kjo është e tmerrshme dhe flet shumë më shumë për Brukselin, shumë më shumë për Hagën, shumë më shumë për natyrën politike të Evropës. Shikojeni, një nga gjërat që duhet ta bëjë Evropa është që duhet të përqendrohet në ekonomi dhe më pak në politikë”, tha Grenell për Klan Kosova.

Grenell e cilësoi ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, “peng” të Gjykatës Speciale dhe mbështeti propozimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për miratimin e një rezolute në Kuvendin e Kosovës, e cila do të diskutohej edhe në Parlamentin e Shqipërisë, dhe që do të kundërshtonte çdo përpjekje për të shkelur procesin e rregullt ligjor.

“Po, me siguri konsideroj që çfarë i kanë bërë në pesë vitet e fundit është mu të qenit peng. Është një situatë e tmerrshme dhe duhet ta dëgjoni Edi Ramën. Mendoj se duhet t’i dëgjoni njerëzit gjithandej Evropës të cilët kanë filluar të thonë se kjo është e papranueshme. Nëse doni një sistem të drejtë të drejtësisë, kjo është tmerrësisht e gabuar”, tha Grenell.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ngriti së fundi shqetësimin lidhur me mungesën e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës pas protestës masive në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale.

Sipas tij, ky akt do të shprehte dënimin e shkeljeve të procesit të drejtë ligjor nga Tribunali i Hagës.

“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”. Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore ” – ka shkruar kryeministri Rama.