Grenell kërkon ndalimin e financimit për Specialen: Janë shpërdoruar miliarda, gjithçka është politikë

Emisari i Posaçëm i SHBA-së për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka kërkuar ndërprerjen e financimit për Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, duke e cilësuar këtë institucion si të motivuar politikisht në të cilin janë “shpërdoruar miliarda”.

Grenell ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, ku ka shpërndarë një postim të gazetarit Fitim Çeku, duke shkruar:

“Ndalni fondet për këtë gjykatë!

Është gjithçka politikë.

Miliarda janë shpenzuar dhe shpërdoruar.”

Çeku ka postuar ‘screenshots’ në të cilat shihet se Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Speciale në Hagë, Kimberly West dhe prokurorja tjetër e Gjykatës Speciale në Hagë, Silvia D’Ascoli, kanë pëlqyer një postim i cili fyente Presidentin Donald Trump.

“Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Speciale në Hagë, Kimberly West, ka pëlqyer një postim që fyente Presidentin Donald Trump.

Përveç Prokurores së Përgjithshme, shihet se postimin që fyente Presidentin Trump e ka pëlqyer edhe prokurorja tjetër e Gjykatës Speciale në Hagë, Silvia D’Ascoli.

Pra, është e qartë se në Hagë, në rastin e Thaçit, ekziston një frymë anti-Trump, dhe përndjekja ndaj Presidentit Thaçi po ndodh sepse Thaçi është pro-Trump.” – ka shkruar Çeku në X.