Grenell hedh akuza ndaj presidentes Osmani për manipulim të fjalëve të Trump

Richard Grenell, emisar i Donald Trump për misione të posaçme, ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për manipulim të deklaratave të Trump lidhur me zhvillimet e fundit në rajon.

Në një postim në platformën “X”, Grenell reagoi pas deklaratës së Osmanit nga SHBA, ku ajo tha se “mund të konfirmoj” se një sulm nga Serbia ndaj Kosovës është parandaluar së fundmi, duke përmendur rolin e Trump në këtë parandalim.

“Turp për Vjosa Osmanin që po manipulon fjalët e Presidentit Donald Trump”, shkroi Grenell, duke shpërndarë gjithashtu një pjesë të deklaratës së saj në SHBA.

Ai shtoi se Osmani “po pretendon sikur” ka ndodhur diçka e re, duke theksuar se presidenti Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tij në vitet 2019 dhe 2020 në drejtim të paqes dhe normalizimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar në Zyrën Ovale.

“Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, shtoi ai.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit të saj në SHBA, presidentja Osmani deklaroi se “bazuar në ato që mund të konfirmoj, nuk bëhet fjalë për zhvillime të vjetra, por për zhvillime shumë të fundit” sa i përket parandalimit të një sulmi të mundshëm nga Serbia, duke përmendur edhe kontributin e Trump në këtë drejtim.

Ajo gjithashtu lavdëroi marrëveshjen e vitit 2020 të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një reagim të shtunën ka mohuar pretendimet e Osmanit, duke thënë se vendi i tij s’është i interesuar për luftë, por për ndërtim e zhvillim.