Fadil Grajçevci, ish-anëtar i Këshillit të ekspertëve për rishikimin e teksteve shkollore, ka thënë se procesi i vlerësimit të teksteve shkollore ka dështuar dhe se është favorizuar një shtëpi botuese.
Në Interaktiv të KTV-së, Grajçevci ka thënë se që nga fillimi kishte pasur pakënaqësi për përzgjedhjen e recensentëve. Sipas tij, shpallja për kërkim të vlerësuesve ishte bërë vetëm në faqen e ministrisë së Arsimit. Kjo ka thënë se ka bërë që një numër i madh i atyre që kanë dashur të ishin vlerësues nuk kanë pasur informata për shpalljen.
“Me dashje apo pa dashje, sikur procesi doli nga kontrolli dhe iu dha mundësia shtëpive të caktuara botuese t’i rekrutojnë recensuesit”, ka thënë ai duke shtuar se pas vlerësimeve të para ka parë se ka pasur favorizim të shtëpisë botuese “Dukagjini”.
Ai është ankuar edhe në mungesën e procesverbaleve nga mbledhjet e kaluara. Ka thënë se ka kërkuar gjithmonë të dihej çka ishte shkruar, por kjo s’i ishte mundësuar.
Duke dhënë sqarime për procesin dhe gjetjet e vlerësuesve, Grajçevci ka thënë se të dhënat kanë treguar se dikush ka ndihmuar në favorizim.
“Për klasën e parë nga shtatë tekste, gjashtë i ka fituar një shtëpi botuese, ‘Dukagjini’. E një tjetër ‘Albas’. Për klasën e dytë nga gjashtë sa janë vlerësuar, të gjashtat nga ‘Dukagjini’. Për klasën e gjashtë, nga 10 lëndë sa janë vlerësuar, nëntë janë nga kjo shtëpi, vetëm një nga një tjetër. Për klasën e shtatë, nga 11 lëndë sa janë vlerësuar, shtatë nga ‘Dukagjini’ e katër nga të tjerat. Më shumë se 80 për qind për klasat e shkollës fillore dhe të ulët të mesme fitues del të jetë ‘Dukagjini’ e kjo del e dyshimtë pasi thuhet se kanë aplikuar 11 shtëpi botuese”, ka treguar ai.
Sipas Grajçevcit, kodet e aplikuesve ishin lehtë të deshifrueshme. Ka shtuar se duhet që të kthehet procesi dhe shkrimet e bëra të dorëzohen sërish me rikodim. Grajçevci ka thënë po ashtu se ka pasur gabime të paimagjinueshme në mbledhje dhe zbritje të pikëve të bëra nga recensentët.
I është përgjigjur ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, që dje në të njëjtën studio kishte thënë se Grajçevci e ka personale këtë çështje. Grajçevci ka thënë se nuk dëshiron të shohë korrupsion në libra duke thënë se “ato nuk janë asfalt e mbi to të shkelin vetura e kamionë”.
Grajqevci ka thënë se kanë komentuar edhe vizitën e recentëve në Durrës, që shtetit të Kosovës i kushtoi.
“Kemi diskutuar në mbledhje tona edhe për këtë çështje, dhe shumë nga anëtarët kemi qenë skeptikë që kjo punë do të bëhet mirë atje. Pse duhet recensentët të mbyllen në Durrës. Ka pasur mundësi që secili të punojë në zyrën e vet”, ka thënë ai. “Ideja ka qenë që gjoja të mos ndikohen nga Shtëpitë Botuese, por gjetjet tona e treguan pikërisht të kundërtën. Kodet kanë qenë lehtë të identifikueshme dhe qasja në internet si duket e ka bërë të vetën”, ka shtuar më tej.
Ai ka thënë madje se ka pasur dilema pse duhet edhe autorët edhe vlerësuesit të bëhen me kode.
“Nëse kanë kredibilitet, edhe autorët edhe recensentët është dashur që të dalin hapur”, ka thënë Grajçevci.
Ai ka thënë se kthimi i procesit varet nga gatishmëria e anëtarëve tjerë të Këshillit të Ekspertëve të Rishikimit të Teksteve, si dhe nga vullneti politik.
“Ndoshta shumë më mirë është që të presin edhe një vit, të kthehemi pak prapa por në emër të cilësisë së librit shkollor”, ka përfunduar ai.