Një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes me armë të mbetur në tentativë mbrëmjen e kaluar në Roskovec është arrestuar nga policia. Ai është 26 vjeç, banues në Vlorë dhe rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Plagosje” dhe “Vjedhje me dhunë”.
Policia njofton se ishte së bashku me 3 persona të tjerë mbrëmjen e kaluar dhe me armë zjarri tentuan të vidhnin banesën e shtetasit A. Ç., 57 vjeç, dhe për pasojë ngeli i plagosur në këmbë kushëriri i 57-vjeçarit, shtetasi A. Ç, 47 vjeç.
Policia thotë se arrestimi erdhi pas rrethimit në një perimetër të gjerë të zonës dhe kontrollit përgjatë natës dhe paradites së sotme.
“26-vjeçari lëvizte me një automjet tip “Nisan”, ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një kapuç, maskë, një fenelinë dhe një radio si ajo e policisë, tre aparate celularë, një trapan, 5 fishekë arme gjahu, veshjet të dyshuara të përdorura në kohën e ngjarjes”, – njofton policia.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një armë gjahu, shtatë fishekë arme gjahu, një thikë metalike, tre radio si ato të policisë.