“Grabitja e shekullit” në Muzeun e Louvre/ Dy të arrestuarit pranojnë fajësinë

Dy të arrestuarit për grabitjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit kanë pranuar “pjesërisht” përfshirjen e tyre në ngjarje, ka bërë të ditur prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën.

Grabitja ndodhi më 19 tetor, ndërsa muzeu ishte i hapur për vizitorët. Katër persona morën në total nëntë sende me vlerë, një prej të cilave u rrëzua dhe u gjet në vendngjarje. Deri më tani, bizhuteritë nuk janë gjetur.

Prokurorja Beccuau iu përgjigj edhe raportimeve se policia po heton mundësinë që grabitja të ketë qenë një “punë nga brenda”. Ajo theksoi se “nuk ka asnjë provë që të tregojë se autorët kanë pasur ndihmë të brendshme”.

Sipas ligjit francez për grabitje të organizuar, ndalimi i të dyshuarve mund të zgjasë deri në 96 orë. Ky afat pritet të skadojë së shpejti, ndaj prokuroria duhet t’i ngrejë akuza, t’i lirojë ose të kërkojë zgjatjen e ndalimit nga gjykata.

Ndërkohë, policia franceze ka pranuar se në sistemin e sigurisë së Luvrit ka pasur “mungesa të mëdha”. Shefi i policisë së Parisit, Patrice Faure, deklaroi para deputetëve se sistemet e vjetruara të sigurisë kanë krijuar pika të dobëta.

“Një hap teknologjik nuk është ndërmarrë ende,” tha ai, duke shtuar se leja për funksionimin e kamerave të sigurisë së Luvrit kishte skaduar në korrik dhe nuk ishte rinovuar.

Faure zbuloi gjithashtu se sinjalizimi i parë për grabitjen nuk erdhi nga alarmet e muzeut, por nga një çiklist që kishte telefonuar urgjencën pasi pa disa burra me helmetë duke përdorur një ashensor shportë.